Çelet ekspozita e veçantë në Bibliotekën "Marin Barleti" të Shkodrës

17 Maj 2026, 16:23Kulturë TEMA
Çelet ekspozita e veçantë në Bibliotekën

Në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” në Shkodër është çelur ekspozita historike “Danishi dhe Danuta: Një dashuri shqiptaro-polake”, kushtuar jetës dhe veprës së piktorit Danish Jukniu dhe bashkëshortes së tij, mjekes polake Dr. Danuta Kościuszko Jukniu.

“Sot nuk çelim thjesht një ekspozitë por një dritare kujtese mbi një histori njerëzore, mbi një lidhje që i mbijetoi kohës”, u shpreh Ledia Dushi, Drejtore, Biblioteka “Marin Barleti”.

Ekspozita, e organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Polonisë në Shqipëri dhe Bashkinë Shkodër, sjell dokumente origjinale, fotografi të rralla dhe materiale historike që tregojnë historinë e çiftit, nga njohja e tyre në Krakov të Polonisë në vitet ’50 deri te jeta dhe kontributi në Shqipëri, veçanërisht në Shkodër.

“Kur unë erdha në misionin diplomatik në Shqipëri, një vit më parë. Konstatova në muret e Ambasadës një skicë që qëndronte varur dhe që kishte një shënim në anën e pasme nga piktori Maks Velo në të cilin shkruhej se kjo skicë ishte realizuar nga një artist polak, profesor i Danish Jukniut”, tha  Ëojciech Unolti, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Polonisë në Shqipëri.

Kuratori i ekspozitës, historiani Xherardo Nikjari, shprehet se ekspozita është ndarë në dy pjesë. Në të parën prezantohen dokumente dhe fotografi për jetën dhe punën e Dr. Danutës si mjeke në Tiranë dhe Shkodër, ndërsa në pjesën e dytë ekspozohen për herë të parë piktura të panjohura më parë të Danish Jukniut.

“Fillimisht ka nisur nga interesi im për të studiuar dhe për tu thelluar më tepër për jetën dhe veprën e doktoreshë Danutës në Shkodër dhe jam njohur me zotin Petrit i cili dispononte një arkiv shumë të pasur të çiftit Jukniu”, theksoi Xherardo Nikjari, kurator.

“Dashuria që ishte mes tyre i bëri që të jetojnë edhe në kohëra të vështira”, tha nipi i piktorit, Petrit Jukni.

Danish Jukniu konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të pikturës shqiptare. I diplomuar në Akademinë e Arteve në Krakov, ai solli në artin shqiptar një stil modern dhe dha kontribut edhe si pedagog në Tiranë dhe në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për 10 ditë.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje