Zija Çela: Shpirtrat që duhen, një ditë bëhen bashkë...

16 Korrik 2025, 14:20Kulturë TEMA
Zija Çela: Shpirtrat që duhen, një ditë bëhen

KANDILI DHE ROMEO & ZHULJETA

Nga Zija Çela

Në vitin 1979 kisha botuar romanin e parë me titullin “Një verë pa lamtumirë”. E ku ta dija unë se do të kisha edhe “një vjeshtë pa lamtumirë”, por me “mirupafshim”?! Sepse, po atë vit, shkova në Kosovë me Dritëroin, në përbërje të delegacionit kur do te nënshkruhej marrëveshja mes Lidhjes së Shkrimtarëve nga ana e Tiranës dhe Shoqatës se Shkrimtarëve nga pala e Prishtinës.

Dritëro Agolli dhe Ibrahim Rugova me kandil nënshkruan pasi, natyrisht me kast, në atë zyrë ku u ndodhem, u ndal rryma elektrike. Mirëpo fati ka edhe paradhomat e dritës së vet. Pikërisht ai mjedis i vogël do të bëhej selia e parë e LDK-së dhe kabineti i parë i Presidentit të ardhshëm Rugova.

Ajo natë në Prishtinë më ka mbetur e paharrueshme. Nata kur bëmë gjithashtu aq fotografi, sa nuk po na dilnin dinarët e mbledhur së bashku për t’i paguar. Por fotot, ashtu si një kujtim në vargje, nënshkruar nga “Malësorja”, sidoqoftë do ta gjenin rrugën për të mbërritur deri tek unë.

Prej atij udhëtimi shkruajta e botova tregimin “Mermeri që pikon”. Janë aty stalaktiti dhe stalakmiti prej mermeri te Shpellës së Gadimes, të njohur ndryshe si Romeo e Zhuljeta. Prej një force të pandalshme tërheqëse, ata janë nisur në drejtim të njëri-tjetrit për t’u takuar. Dhe tregimi, ndryshe nga tragjedia e Shekspirit, ka përfundimin se shpirtrat që duhen një ditë bëhen bashkë. Madje, edhe në terr e gjejnë njëri-tjetrin.

 

Lini një Përgjigje