Nga Timo Mërkuri
Disa poezi nuk kërkojnë të shpjegohen, por thjeshtë të ndiqen si një hije pas një fije drite që fiket ngadalë. Ato nuk kanë një kuptim të prerë, por jetojnë në ndjesinë që lënë pas. "Shumë qenkam rritur" e Ilirian Zhupës është një e tillë, një lutje e kthyer në kujtim, një fjalë e thjeshtë që rri pezull midis fëmijërinë që iku dhe botën e sotme që nuk pret më askënd. Nëpër vargje të ngarkuara me dhembje të heshtur, poeti rrëfen një rritje që nuk është lavdi, por zbrazëti; një mosprani që mbetet përjetësisht në kujtesë.
Kjo sprovë nuk vjen për të ezauruar kuptimet e një poezie të tillë, por për të hyrë në frymën e saj, me kujdes, me ndjeshmëri, me vetëdijen se fjalët e vogla, si gjërat e përditshme që përmenden në poezi, mbartin një peshë që nuk matet me retorikë. Ajo që shihet këtu nuk është vetëm koha që kalon, por poeti që zgjidhet prej saj, që përjeton kalimin jo si histori, por si mungesë.
Në një epokë ku fjala kërkohej të frymëzonte masa, kjo poezi u kthye mbrapsht për të dëgjuar një zë vetjak; zërin e fëmijës që i lutej barit, maces, portës, pleqve... dhe që tani nuk gjen askënd. Analiza që vjen më poshtë është një përpjekje për të shoqëruar këtë zë, pa e tejkaluar, pa e sforcuar, duke e ndjekur në rrugën e tij të heshtur nga jeta drejt kujtimit, nga koha drejt fjalës.
I-Ilirian Zhupa, me vargjet e tij të thjeshta në dukje, por me peshë të thellë emocionale dhe filozofike, i afrohet rrymës ekzistencialiste në poezinë moderne, në një mënyrë që kujton shpirtin e lirë të poezisë së Prévert, tingujt e hidhur të Quasimodo-s dhe qasjen ciklike ndaj kohës e ndryshimit të Elytis dhe Ricos. Kjo poezi flet me qetësinë e gjërave që ikin dhe në thelb është një elegji për kohën e pamundësinë e njeriut për të qëndruar brenda saj. Vargu që e hap dhe e mbyll strofën e parë është një lutje fëmijërie:
“Prisni të rritem!” – dikur u kam thënë,
Barit në oborr dhe maces së larme...
Ky varg, që në fakt është përsëritës, krijon ritmin e një përkëdheljeje për sendet dhe qëniet që i përkisnin kohës së pafajshme. Por malli është nëpërmjet mungesës, sepse çdo thirrje ndaj tyre është tashmë thirrje drejt harresës: “macja ka ngordhur”, “porta është ndryshkur” dhe koha ka qenë e pamëshirshme, askush s’e ka pritur rritjen e poetit. Kjo thyerje e iluzionit të përjetësisë i jep poezisë një karakter melankolik ekzistencial.
Ndërtimi anaforik (përsëritja e strukturave) nuk është thjeshtë një mjeshtëri formale, ajo është forma e një kujtese që këmbëngul të ruajë gjurmët, si një fëmijë që përsërit emrat e gjërave për të mos i humbur rrugës për në shtëpi.
Foshnjat janë rritur dhe shiu ka heshtur,
Shiu ka heshtur dhe pleqtë kanë vdekur...
Rrjedha e jetës, si një zinxhir që kalon nga e bukura në të humburën, nga loja në heshtje, krijon një trajektore ontologjike: ku jemi? Çfarë mbetet? Dhe Zhupa, në fund, gjen strehë në atë që mund të lërë pas:
...ca shenja dëshire dhe punë,
Me të cilat do të flasin fëmijtë dhe miqtë
Kur të mos jem unë.
Kjo është pika e bashkimit mes modernizmit të përmbajtur shqiptar dhe ndjeshmërisë universale të ekzistencializmit: njeriu zhduket, por fjala, dëshira dhe puna mbeten si urë mes botës që ikën dhe botës që vjen.
Ndaj mendojmë kjo poezi është moderne jo nga forma e errët, por nga drita që fiket butësisht në të. Ajo e sheh jetën si një gjurmë që ikën para se të na presë, dhe e shfaq poetin si një qenie që më në fund e kupton, shumë vonë, se rritja nuk pritet, por ndodh. Dhe me të, gjithçka tjetër ndryshon.
II-Në vitet 1986, kur letërsia shqipe zyrtarisht ecte nëpër rrugët e realizmit socialist dhe këndonte për arritjet, Ilirian Zhupa shkroi këtë poezi, ecila, s’e kishte vendin në tribuna manifestimesh, por në përbrendësinë e një njeriu që ishte rritur pa e kuptuar ai, ndërkohë bota (fëminore) që donte ai të ruante ishte venitur. Në një kohë kur poezia shqipe, pas reprezaljeve të Pleniumit të IV fanmëzi, në përpjekje për modernitet poetik kishte nisur të fshihte lirizmin pas fasadave ideologjike, kjo poezi erdhi si një zë vetjak, që, ndonëse me fjalë të thjeshta, sillte një lëvizje nën sipërfaqe, një frymëmarrje që më shumë i përket shpirtit sesa formës.
1. Poezia sjell një “un” të vetmuar në qendër, duke e liruar poezinë nga kolektiviteti retorik.. Në vend të korit kolektiv dhe të gjuhës optimiste (të detyrueshsme), Zhupa zgjedh një fjalë të butë, fëminore, vetjake. Poezia nuk thërret “ne”, por flet me një “unë” dhe që e ka nisur rrugëtimin me një lutje naive:
“Prisni të rritem!” – dikur u kam thënë,
Barit në oborr dhe maces së larme...
Në këtë thirrje fëmije, që u drejtohet objekteve natyrore, kafshëve shtëpiake, në ndryshim nga objektet e prodhimit të poezisë zyrtare, shfaqet një liri e re, liria e të qenit vetjak, e të ndjerëit pa frikë. Madje ky "unë" nuk është udhëheqës, por është fëmija që ka folur me botën e tij dikur, dhe tani e shikon atë të larguar.
2. Poeti vendos në qendër sende e qënie të vogla shtëpiake dhe ndërton me ato një botë poetike të përjetëshme. Poezia nuk ngre monumente për njeriun e ri, por vargje për gjërat e përditshme dhe ca më tepër që ato janë në ikje. Ai i ngre monument një maceje, një pjergulle të lodhur, një porte të ndryshkur:
Macja ka ngordhur dhe pjergulla është lodhur,
Pjergulla është lodhur dhe vajzat janë thinjur...
Këto janë fjalë që, nuk “shërbejnë” për ndërtimin e njeriut të ri, por pikërisht për këtë, ato ishin risore, sepse i shërbejnë shpirtit të njeriut të vërtetë.
3. Koha përjetohet si proces në ikje të ngadaltë, jo si progres e fitore dhe ky është thelbi i modernitetit. Koha shfaqet si një mjegull që shkon drejt shuarjes dhe pikërisht aty lind bukuria e dhimbëshme e vargut të Zhupës. Koha nuk i pret njerëzit, gjërat ikin para nesh: “Ngadalë paskam shkruar dhe befas jam zgjuar” . Ky zgjim i vonuar është forma e thellë e reflektimit modern, ku njeriu mbetet gjithmon pas kohës. Në vend që të paraqesë kohën si një vijë progresi të lavdishëm, ajo shfaqet si një proces i lodhshëm i mospritjes, i zbrazjes së kujtesës:
Foshnjat janë rritur dhe shiu ka heshtur,
Shiu ka heshtur dhe pleqtë kanë vdekur...
Zhupa vendos në qendër dridhjen ontologjike[1], jo historinë me shkronjë të madhe sepse jeta për të nuk është rrëfim epokal, por një përhimje e heshtur, që ndonëse e pashkruar në kronikë është ndier në palcë. Ai nuk i numëron epokat, nuk shpall kthesat e mëdha,fitoret e arritjet, ai dëgjon si bien një nga një zërat që s’na presin më. Aty ku historia kërkon emra, Zhupa dëgjon hapin e fundit të një plaku, heshtjen e shiut që nuk lë më gjurmë, thinjat e vajzave që nuk i njohu kurrë si nuse e si gra. Vargu nuk lë gjurmë në dokument, por në frymë:
“Foshnjat janë rritur dhe shiu ka heshtur,
Shiu ka heshtur dhe pleqtë kanë vdekur...”
Kohët nuk janë stinë për t’i përshkruar; janë thjesht të ikura. Dhe poeti nuk përpiqet të ndalojë asgjë. Ai veç vendos dorën në shpinën e jetës që po largohet dhe shënon çka mbetet pas si një zbrazëti që nuk ka ku të ankimohet, veç në poezi. Kjo është mosprania e lavdisë, prani e madhe e zbrazëtisë, ajo që na lidh me çdo njeri që ka ndjerë se jeta nuk pret, dhe se kujtesa është një derë e mbyllur pas nesh.
4. Në fund, poezia lë pas një gjurmë të njeriut, jo të sloganit. Në kohën kur fjala duhej të kishte një “mesazh të qartë”i tipit lejfenist për masat, kjo poezi përfundon me një reflektim intim për ikjen dhe për atë çfarë mbetet. Nuk ka mesazh, por ka gjurmë:
Duke lënë ca shenja dëshire dhe punë,
Me të cilat do të flasin fëmijtë dhe miqtë
Kur të mos jem unë.
Në vend të premtimeve për një të ardhme të ndritur, kemi një amanet njerëzor, modest dhe të vërtetë. Ky është ndoshta akti më i guximshëm i kësaj poezie: të mos i shërbejë asgjëje tjetër përveç kujtimit dhe dashurisë.
5. Ka poezi që, megjithëse hedhin hapa drejt kohëve moderne, e mbajnë gjithnjë dorën e traditës. Ato nuk i thyejnë urat me të kaluarën, por kalojnë mbi to me një ritëm tjetër, më njerëzor, më të brendshëm. Pikërisht kjo ndodh në poezinë “Shumë qenkam rritur” të Ilirian Zhupës, ku elemente tradicionalë si fjala e thjeshtë, objekti i zakonshëm, përditshmëria, përthyhen në një rrjedhë të re, në një poezi që i përket së tashmes, por mban aromën e së shkuarës. Ja si gërshetohet e vjetra dhe e reja, duke krijuar një harmoni të qetë dhe thellësisht njerëzore.
a.Në këtë poezi fjalori tradicional shndërrohet në strukturë moderne. Po të vëresh me kujdesë, fjalët e poezisë janë të zakonshme, madje mund të thuhet se janë fjalët e jetës së përditshme: pjergull, vajzë, fëmijë, shi, plak, portë. Janë fjalë që në poezinë tradicionale shqiptare shfaqen për të pikturuar një pamje, për të evokuar një ndjenjë romantike ose për të dhënë një urtësi. Por tek Zhupa ato përdoren ndryshe. Ai nuk i vendos mbi një peizazh të qëndrueshëm, por i lë të rrjedhin njëra mbi tjetrën, me një ritëm që vjen nga brenda, duke ndërtuar një zinxhir të natyrshëm ndryshimesh:
“Pjergulla është lodhur dhe vajzat janë thinjur,
Vajzat janë thinjur dhe foshnjat janë rritur,
Foshnjat janë rritur dhe shiu ka heshtur…”
Ky nuk është përshkrim, është kohë që rrëshqet, është jetë që nuk mund të mbahet. Dhe këto fjalë të thjeshta bëhen dëshmitarë të një përjetimi ekzistencial, jo të një ndjenje të stolisur.
b. Vargu te poezia e Zhupës përthyhet në mes si vetë ritmi i kohës së brendshme. Vargu tradicional ka qenë i plotë, i rregullt, i ngritur mbi një frymë të vetme. Tek Zhupa, vargu thyhet në mes, por jo për t’u ndalur, përkundrazi ai thyhet për të ndërtuar ritëm. Është një përthyerje që ndjek lëvizjen e mendimit dhe të frymës së brendshme, jo të metrikës së jashtme:“Pleqtë kanë vdekur dhe porta është ndryshkur…” Këtu, vargu është si një frymë që mbart dy pamje: njëra mbyllet, tjetra fillon. Dhe në këtë përthyerje, poezia fiton një melodi të brendshme, një frymë që nuk lidhet me rimën, por me rrjedhën e shpirtit. Melodia nuk është jashtë, është në vetë mënyrën si ndërthuren fjalët e zakonshme dhe ndjesitë e heshtura.
c-Po të dëgjosh me kujdes këtë poezi, ajo ngjan si një këngë e butë që dikush e flet, jo e këndon. Nuk ka refren, por ka një lloj përsëritjeje që krijon rezonancë, si në disa këngë popullore, ku njëri varg mbështetet mbi tjetrin për të vazhduar. Por këtu nuk është fjala për një këngë të gëzueshme, as për një elegji të qartë. Kjo është një këngë e brendshme, që lëviz si rënkim i butë nëpër kohë:“Shiu ka heshtur dhe pleqtë kanë vdekur,/Pleqtë kanë vdekur dhe porta është ndryshkur…” Shikoni zanoren “u” në fjalët ku përdoret, të duket se do zgjatet në vajtim. Po ashtu edhe ritmi është, në të vërtetë, ritmi i ikjes, i ndryshimit të pandalshëm, dhe i një vetmie që poezia e përqafon pa thirrje.
Ilirian Zhupa nuk ndau me vijë në mes traditën dhe modernitetit, ai i ndërlidhi të dyja me një dorë të heshtur , duke I sjellë në të njëjtën frymarje poetike. Fjalët e vjetra nuk i hodhi tej, por I rimori me butësi, duke I vendosur në një ritëm tjetër, më të brendshëm. Strukturën tradicionale nuk e rrëzoi, por e përthuri me përsëritje dhe thyerje të lehta vargjesh, derisa ajo nisi të frymonte ndryshe. Në këtë mënyrë, poezia e tij nuk është as ndarje nga e kaluara, as vetëm risi, është një rrugë e shtruar me gurë të vjetër që tingëllojnë ndryshe nën hapat e një kohe të re. Dhe mbi këtë kalldrëm poetik, kaloi një nga kthesat më të heshtura të modernitetit letrar në Shqipëri. Të mos harrojmë se Ilirian Zhupa ishte pjesë e grupit poetik të Tepelenës bashkë me Petrit Rukën e Qazim Shemën që tradicionalitetin e shfrytëzuan mjeshtërisht herë si sfond dhe herë si shtrat për të ritur poezinë moderne, gjë që e real.zuan mjeshtërisht.
III-Ka një dukuri të veçantë kjo poezi e Zhupës, ka një lidhje përsëritjeje të strofës së parë te e treta. Në vështrim të parë, këto dy strofa duken si binjake, të ndërthurura me të njëjtat fjalë, të njëjtën renditje të objekteve, të njëjtën ritmikë të përsëritjes. Por ato janë vetëm në dukje të njëjta. Sepse në thelb, nuk janë vargjet që përsëriten, është jeta që ndryshon vend dhe koha që zë vendin e vet.
Në strofën e parë gjithçka është thirrje, pritje, shpresë. Një fëmijë që kërkon durim nga bota, që i flet gjërave të gjalla me një përzemërsi të rrallë, si t’u kërkonte besë: “Prisni të rritem! – dikur u kam thënë,/Barit në oborr dhe maces së larme…” Vargjet ngjiten njëri pas tjetrit si degët e një hardhie obori te pema pranë. Çdo emër është i gjallë, i pranishëm, në lulëzim ose në fillim të tij. Poezia lëviz lart, me një frymë që i beson të ardhmes.
Por kur kalon te strofa e tretë, ato fjalë të njohura kthehen, jo për të thënë të njëjtën gjë, por për të treguar se koha ka kaluar në heshtje dhe gjithçka ka ndryshuar. S’ka më ftesë për të pritur. Ka vetëm dhimbje që askush nuk priti: “Të rritesha unë ata s’paskan pritur!/Bari është tharë dhe macja ka ngordhur…” Tani gjithçka që në fillim ishte jetë, është përtharë, është zbardhur, është heshtur, është e vdekur. Fjalët janë të njëjtat, por pesha e tyre është tjetër. Përsëritja këtu nuk është rikthim, por rrëshqitje. Këtu kemi të bëjmë me një teknikë që në letërsi quhet anadiplozë, por tek Zhupa ajo fiton një përdorim të veçantë: jo për të rritur retorikën, por për të shfaqur përmbysje të kohës.
Kjo është përsëritje që lodh veten duke mbajtur një emër të njohur, për të na treguar se njohja s’është më aty. Se sendi që përmendet s’është më ai që ishte. Dhe kështu vargjet nuk ecin në rreth, por në spirale, gjithnjë më thellë në një zbrazëti që s’pritet, por përjetohet. “Foshnjat janë rritur dhe shiu ka heshtur,/Shiu ka heshtur dhe pleqtë kanë vdekur…” Siç shihet, këtu koha nuk është më linjë drejt e dritës, por rrjedhë që tret. Çdo varg është si një kambanë e butë që shpall mungesën. Efekti poetik është ai i zbehjes së ngadaltë të një dritareje që mbyllet ndërsa e shikon.
Dhe në fund, kur vjen ai pohim i thjeshtë: “Shumë qenkam rritur dhe dot s’më kanë pritur!” kemi një përmbyllje që s’është thirrje, s’është protestë, por një pohim i heshtur, i tejmbushur me brengë. Pra, përsëritja, në këtë poezi nuk sjell kthim, por shfaq humbjen e kthimit. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo shndërrohet në një mjet të fuqishëm modern, që e kthen strukturën tradicionale të vargut në një mekanizëm të ndjeshmërisë së kohës, ku fjala e njëjtë nuk mbart më të njëjtin kuptim, sepse koha që e rrethon nuk është më e njëjta. Ky është arti i Zhupës: të përdorë të njëjtat fjalë, por t’i bëjë të flasin ndryshe, si kujtime që kanë humbur dritën e parë. Dhe në këtë kthim që s’kthehet, poezia bëhet vetë kohë e ndjerë.
IV- Ka poezi që vijnë si frymë e lehtë, si diçka që na fton të ndalemi e të dëgjojmë veten. Në vitet e pas Plenumit IV, kur poezia duhej të shihte drejt horizontit të ndritur të së ardhmes dhe jo drejt vetes, ndjeshmëria personale ishte fjalë e ndaluar, ajo duhej të rrinte në hije. Por, si çdo gjë që s’mund të shuhet plotësisht, edhe ndjesia gjeti shteg për të hyrë: përmes një fjale të qetë, përmes një zëri që nuk shpall, por kujton.
Në atë kohë, kur rruga e poezisë së re po niste të shtrohej ngadalë, me gurë të thjeshtë e të menduar gjatë, poezia e Ilirian Zhupës u bë një gur i heshtur në kalldrëmin e asaj udhe të re, jo si monument, por si shenjë themeli, mbi të cilën do të mbështeteshin hapat e një moderniteti poetik, të butë e njerëzor. “Ngadalë paskan shkuar dhe befas jam zgjuar…” Ky zgjim i qetë, pa zhurmë, është vetë zgjimi i një poezie që largohet nga tingujt e propogandës dhe kthehet te fryma. Nuk kërkon as lavdi, as udhëheqje, por prani të thjeshtë dhe të brendshme. Shikoni ju lutem: poezia e Ilirian Zhupës ndërtohet mbi sende që zakonisht i kalojmë pa vëmendje, bari, pjergulla, një macë, një portë, por këtu, secila prej tyre ngarkohet me një ndjesi njerëzore, me heshtje që kujton, nuk shpall. Kjo kthesë, pikërisht nga madhështia e rreme te përjetimi i vogël, i dha udhë një poetike të re.
Në një kohë kur poetët kërkoheshin të jenë zëra të epokës, Zhupa e uli zërin dhe e ftoi fjalën të ulet përballë kohës, jo për ta përshkruar, por për ta përjetuar. Ai nuk i foli turmës, por dëgjoi veten, ndaj dhe poeza e tij nuk është thjesht e atij çasti, por është një gur i vënë në themelet e së nesërmes: “Me të cilat do të flasin fëmijët dhe miqtë/Kur të mos jem unë.” Ky mall për të mbetur përmes fjalës, ky kujdes që fjala të mbajë brenda një zë të munguar, është vetë thelbi i poetikës moderne shqiptare që filloi të merrte formë në atë kohë. Dhe Ilirian Zhupa, pa bujë, me fjalë të thjeshta e të brishta, vendosi një nga gurët më të qetë, por më të qëndrueshëm në kalldrëmin e një poezie të re moderne. Një gur,jo për të ngritur monumente, por për të shtruar udhë e re ku fjala të mos komandojë, por të shoqërojë. Dhe mbi atë gur, me pak dritë, shumë heshtje, dhe një njeri që, më në fund, lejohet të ndjejë, kaloi moderniteti poetik shqiptar.
Sarandë, më korrik 2025
SHUMË QENKAM RRITUR
-Prisni të rritem! – dikur u kam thënë,
Barit në oborr dhe maces së larme,
Maces së larme dhe pjergullës së madhe,
Pjergullës së madhe dhe vajzës së rritur,
Vajzës së rritur dhe foshnjës së mitur,
Foshnjës së mitur dhe shiut të dendur,
Shiut të dendur dhe pleqve një shekull,
Pleqve një shekull dhe portës së hekurt,
-Prisni të rritem! – dikur u kam thënë.
Me kohë shkrova vjersha dhe historira,
Për pleqtë e përjetshëm dhe vajzat e mira,
Shkova t’i gjeja dhe u trondita.
Të rritesha unë ata s’paskan pritur!
Bari është tharë dhe macja ka ngordhur,
Macja ka ngordhur dhe pjergulla është lodhur,
Pjergulla është lodhur dhe vajzat janë thinjur,
Vajzat janë thinjur dhe foshnjat janë rritur,
Foshnjat janë rritur dhe shiu ka heshtur,
Shiu ka heshtur dhe pleqtë kanë vdekur,
Pleqtë kanë vdekur dhe porta është ndryshkur,
Shumë qenkam rritur dhe dot s’më kanë pritur!
Ngadalë paskan shkuar dhe befas jam zgjuar
Duke lënë ca shenja dëshire dhe punë,
Me të cilat do të flasin fëmijtë dhe miqtë
Kur të mos jem unë.
[1] Kur themi se Zhupa “vendos në qendër dridhjen ontologjike”, nënkuptojmë diçka njerëzore dhe të thellë: Poeti nuk flet për ngjarje të mëdha, për histori apo për ngadhënjime të jashtme. Ai flet për vetë qenien, për tronditjen që ndien njeriu kur kupton se koha ikën, se askush nuk pret, se gjithçka ndryshon dhe zhduket, ndërsa ai, njeriu rritet pa e kuptuar. Pra, dridhja ontologjike është ajo ndjesi e brendshme, e thellë, e papërcaktueshme, e dhimbshme, që të kap kur përballesh me humbjen, me kalimin e kohës, me vdekjen, me faktin që gjërat më të dashura nuk janë më. Si p.sh. tek këta vargje: “Pleqtë kanë vdekur dhe porta është ndryshkur,/Shumë qenkam rritur dhe dot s’më kanë pritur!” Kjo nuk është thjesht një ngjarje. Është një përjetim që trondit shpirtin. Dhe ky përjetim i thellë është ajo që quajmë “dridhje ontologjike”.
Lini një Përgjigje