Dasmat më elegante të vitit 2025

31 Dhjetor 2025, 09:50Lifestyle TEMA
Dasmat më elegante të vitit 2025

Edhe pse viti 2025 u shënua nga zhvillime të vështira dhe lajme të zymta, për botën e dasmave ai rezultoi surprizuesisht i ndritshëm. Nga ceremoni luksoze miliarderësh te martesa sekrete të personazheve të famshëm, nga dasma madhështore deri te celebrime intime plot stil – ky vit solli bukuri, elegancë dhe pak arratisje nga realiteti.


Për dashamirësit e modës, fokusi kryesor mbetet gjithmonë nusja. Dhe sipas stilistes së njohur të nuseve, Rosie Boydell-Wiles, viti 2025 shënoi një kthesë të qartë në trendet e fustaneve të dasmës. Nusja moderne po i largohet minimalizmit ekstrem dhe fustaneve të holla prej sateni, që për vite me radhë dominuan altarët.

Ajo thekson se fustani i tipit “slip dress” po humbet terren, ndërsa në vend të tij po preferohen modele me strukturë të fortë, korse të punuara dhe forma arkitektonike. Sipas saj, këto fustane ofrojnë një identitet më të fortë dhe një elegancë që nuk ngatërrohet lehtë me një veshje të zakonshme mbrëmjeje.


Gjatë vitit u dalluan qartë tre profile nusesh: tradicionale, klasike moderne dhe jokonvencionale.

Nuset tradicionale

Një nga ceremonitë më klasike të vitit ishte dasma e Lady Violet Manners me William Lindesay-Bethune, e mbajtur në ambientet madhështore të Belvoir Castle. Nusja zgjodhi një fustan couture nga Phillipa Lepley, me jakë të lartë dhe mëngë voluminoze, i shoqëruar me një diademë familjare nga shekulli XVIII.

Po aq e përfolur ishte edhe martesa e Jeff Bezos me Lauren Sanchez Bezos në Venecia, e cila mblodhi emra të mëdhenj si Oprah Winfrey dhe Leonardo DiCaprio. Lauren u shfaq me një fustan Dolce & Gabbana haute couture, prej dantelle, frymëzuar nga një model ikonë i Sophia Loren në vitet ’50.

Në këtë kategori hyn edhe Mel B (Scary Spice), e cila u martua në Katedralen e Shën Palit në Londër me një fustan të bardhë të punuar me perla nga Josephine Scott, ndërsa ceremonia e dytë në Marrakesh solli një tjetër krijim spektakolar, rezultat i qindra orëve pune artizanale.

Klasikja moderne

Kim Cattrall zgjodhi një ceremoni shumë intime në Londër, vetëm me 12 të ftuar. Ajo veshi një kostum elegant Dior, të kombinuar me doreza dantelle dhe kapele, duke krijuar një pamje të rafinuar dhe bashkëkohore.

Ndërkohë, Marisa Abela u frymëzua nga stili i Audrey Hepburn, duke zgjedhur një fustan me linja të pastra nga Emilia Wickstead.

Nicola Peltz Beckham, gjatë rinovimit të betimeve martesore me Brooklyn Beckham, veshi fustanin e vjetër të nënës së saj, të ripunuar në mënyrë moderne – një gjest emocional që u vlerësua gjerësisht.

Edhe dasma sekrete e Eve Jobs, vajza e Steve Jobs, me sportistin Harry Charles, u bë temë diskutimi pasi u publikua një foto e vetme, ku nusja shfaqej me një fustan shumë elegant Givenchy.

Nusja jokonvencionale

Ikonë e kësaj kategorie ishte Charli XCX, e cila për dasmën e saj në Londër zgjodhi një fustan shumë të shkurtër Vivienne Westwood, të kombinuar me vello minimale dhe syze dielli. Një deklaratë e qartë për nusen e lirë, pa rregulla dhe pa bujë.

Sipas Boydell-Wiles, gjithnjë e më shumë çifte po shmangin ceremonitë e kushtueshme dhe po preferojnë dasma të vogla, intime, ku edhe fustani reflekton thjeshtësi, por stil autentik.

Një tjetër shembull ishte aktorja Maureen Lipman, e cila u martua me një fustan rozë të zbehtë nga Joyce Young, duke e përshkruar përvojën e zgjedhjes së fustanit si një nga momentet më të bukura të jetës së saj.


Në fillim të vitit, edhe prezantuesja Kirstie Allsopp surprizoi publikun duke u martuar fshehurazi gjatë një feste ditëlindjeje, me një fustan Oscar de la Renta, të blerë vetëm dy javë para ceremonisë.


Viti 2025 dëshmoi se eleganca nuk ka një formë të vetme: ajo mund të jetë tradicionale, moderne apo krejt e pazakontë. Mbetet shpresa që 2026 të sjellë po aq frymëzim dhe bukuri për nuset e ardhshme.

1 Komente

  1. E
    Eda

    Pas 7 vjetesh divorc te gjithe....Ju rrofte Fasada!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje