Destinacionet ku të duket vetja si në një pikturë shumëngjyrëshe, ja 10 prej tyre që do t’ju magjepsin!

17 Korrik 2025, 15:20Lifestyle TEMA
Destinacionet ku të duket vetja si në një pikturë

Në një botë ku estetika është bërë pjesë e jetës sonë të përditshme, nga mënyra si vishesh, si e dekoron shtëpinë, deri te vendet ku udhëton, ngjyrat kanë më shumë fuqi se sa mendojmë. Ato ndikojnë në humor, frymëzojnë krijimtari dhe i japin jetë çdo peizazhi. Dhe ndërsa disa qytete qëndrojnë elegante në ngjyrat e tyre neutrale, ka vende që duket sikur janë zhytur në një paletë të një piktori ekspresionist.

Këtë e ka konfirmuar edhe një analizë nga studio kreative Berlew, e cila përmes teknologjisë së vizionit kompjuterik ka analizuar qindra imazhe turistike për të identifikuar pesë ngjyrat dominuese në secilin destinacion. Nga kjo analizë kanë dalë 625 paleta ngjyrash dhe një listë me destinacionet më shumëngjyrëshe në botë, vende që jo vetëm të lënë pa frymë, por janë perfekte për ata që e shohin botën si një kanavacë.

Në krye të listës qëndron Burano, ishulli magjepsës pranë Venecias që duket sikur është pikturuar me dorë, me shtëpi në blu, të kuqe, të verdhë dhe të gjelbër. Pas tij, vijnë qytetet blu e mistike si Chefchaouen në Marok apo Guatapé plot jetë në Kolumbi.

Ja lista me 10 destinacionet më shumëngjyrëshe në botë që do t’ju frymëzojnë për udhëtimin e radhës:

1. Burano, Itali

Shtëpitë e vogla shumëngjyrëshe, rrugicat romantike dhe atmosfera autentike veneciane e kthejnë Buranon në një nga ishujt më fotogjenikë të Europës.

2. Chefchaouen, Marok

Një qytet në veri të Marokut ku çdo gjë është blu një oaz qetësie, spiritualiteti dhe bukurie, i njohur si “qyteti blu”.

3. Guatapé, Kolumbi

Një qytet i vogël që shpërthen në ngjyra dhe art, ku çdo fasadë është një vepër murale dhe çdo cep është si një kartolinë e gjallë.

4. Willemstad, Curaçao

Arkitektura koloniale holandeze në ngjyra pastel, rozë, portokalli, vjollcë, blu  që pasqyrojnë dritën e detit dhe atmosferën tropikale të Karaibeve.

5. Havana, Kubë

Makinat klasike të viteve ‘50, ndërtesat koloniale dhe rrugicat me ngjyra të forta krijojnë një nostalgji të ëmbël në zemër të Karaibeve.

6. Cinque Terre, Itali

Pesë fshatra bregdetarë të ndërtuar mbi shkëmbinj, ku çdo shtëpi është një ngjyrë ndryshe dhe çdo pamje është thjesht… Instagrammable.

7. La Boca (Buenos Aires), Argjentinë

Një lagje boheme me shpirt artistik, ku çdo ndërtesë është e mbuluar me ngjyra të ndezura, tango rrugëve dhe ritëm i pandalshëm.

8. Jodhpur, Indi

I quajtur “Qyteti Blu i Indisë”, ky qytet mes shkretëtirës është një labirint ndërtesash në blu të lehtë, që krijojnë një kontrast magjik me rërën e artë.

9. San Juan, Porto Riko

Qyteti i vjetër i San Juan-it është një eksplozion ngjyrash tropikale, me rrugë me kalldrëm dhe fasada që frymojnë me ritmin e Karaibeve.

10. Balat (Stamboll), Turqi

Një nga lagjet më autentike të Stambollit, ku shtëpitë shumëngjyrëshe, shkallët e pjerrëta dhe kafenetë tradicionale të transportojnë në një tjetër epokë.

Lini një Përgjigje