Katër astronautë nisën kthimin e urgjencës drejt Tokës pas një problemi mjekësor në Stacionin Hapësinor

15 Janar 2026, 14:09Lifestyle TEMA
Katër astronautë nisën kthimin e urgjencës drejt Tokës

Katër astronautë të misionit Crew‑11 janë nisur herët drejt Tokës nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) pas një problemi mjekësor me një nga anëtarët e ekuipazhit, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. NASA vendosi ndërprerjen e misionit për të siguruar qasje të plotë në pajisjet diagnostikuese dhe kujdesin mjekësor në Tokë.

Astronautët u larguan nga ISS të mërkurën në orën 17:20 me kapsulën SpaceX Crew Dragon dhe pritet të zbresin në Oqeanin Paqësor, pranë bregut të Kalifornisë, rreth orës 03:40 të mëngjesit të së enjtes.

Në bord janë astronautët:

Mike Fincke (NASA)
Zena Cardman (NASA)
Kimiya Yui (JAXA, Japonia)
Oleg Platonov (Roscosmos, Rusia)
Ky kthim i parakohshëm shënon herën e parë që NASA ndërpret një mision për arsye mjekësore. Problemi nuk lidhet me ndonjë incident gjatë punës në hapësirë, por ka të bëjë me efektet e mikrogravitetit, dhe astronauti është në gjendje të qëndrueshme. Pas uljes, ekuipazhi do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore rutinë.

Faza e fundit e misionit është gjithashtu ndër më të rrezikshmet, pasi kapsula rikthehet në atmosferë me shpejtësi më shumë se 22 herë sa shpejtësia e zërit dhe temperatura e jashtme mund të arrijë mbi 1,926 gradë Celsius. Pasi të bie në Paqësor, anijet e shpëtimit do të jenë aty për t’i nxjerrë astronautët nga uji, të cilët më pas mund të transportohen me barela mjekësore, një procedurë e zakonshme për rikthimin nga hapësira./ E.K


Burimi: Reuters

Lini një Përgjigje