Një avion luftarak MiG-21, dikur simbol i konflikteve të Luftës së Ftohtë, është shndërruar në një kryevepër arti falë vizionit të artistit Ralph Ziman. Projekti, i cili zgjati mbi pesë vite dhe përfshiu më shumë se 100 artizanë nga komunitetet Ndebele në Afrikën e Jugut, mbuloi plotësisht avionin me rreth 35 milionë rruaza të punuara me dorë.
Artisti i lindur në Johannesburg, por i vendosur në Los Anxhelos, tregoi përvojat e tij të hershme me armët e zjarrit, të cilat e shtynë drejt një qëndrimi të fortë kundër dhunës. Për më shumë se një dekadë, Ziman ka punuar mbi serinë e tij të njohur “Weapons of Mass Production”, ku transformon armë dhe mjete ushtarake në vepra arti, duke i kthyer simbolet e luftës në mesazhe paqeje.
Në këtë rrugëtim artistik, ai ka realizuar replika të pushkëve AK-47 me rruaza (2013), ka transformuar një mjet të blinduar Casspir (2016) dhe kulmi i projektit erdhi me avionin MiG-21 (2019-2025). Ekspozita u hap këtë verë në Muzeun e Fluturimeve në Seattle, ku vizitorët mund të shohin nga afër këtë transformim mbresëlënës.
Për Ziman, përdorimi i rruazave nuk ishte vetëm estetik. Projekti ka ndihmuar qindra artizanë të ruajnë traditën e tyre dhe njëkohësisht ka financuar edukimin e fëmijëve të tyre. Përmes fondacioneve partnere, të ardhurat nga shitja e avionit pas turneut në SHBA do të përdoren për bursa studimi dhe për terapi arti për fëmijët e prekur nga lufta në Ukrainë.
“Ky projekt flet për të kaluarën e dhunshme, por është më aktual se kurrë,” – tha Ziman, duke theksuar ngjashmëritë mes mjeteve të përdorura gjatë aparteidit dhe atyre që u përdorën kundër protestuesve gjatë lëvizjes Black Lives Matter në SHBA./ E.K
Burimi:CNN, “Make art, not war: Why an artist spent five years and used 35 million beads to transform a supersonic jet” (Tom Page, 2 shtator 2025)
Lini një Përgjigje