Një makak 7-muajsh i quajtur Punch është kthyer në sensacion në rrjet, pasi videot ku ai shfaqet i vetmuar duke përqafuar një lodër prej pelushi, një orangutan nga Ikea, kanë prekur miliona njerëz në mbarë botën.
Pamjet virale e tregojnë Punch-in teksa qëndron i veçuar nga grupi, përqafon lodrën e tij të butë ose përpiqet t’u afrohet majmunëve të tjerë në habitat. Në disa raste ai duket se refuzohet hapur nga primatët e tjerë, madje në disa video shihet edhe duke u tërhequr zvarrë, çka ka ngjallur reagime të shumta online.
Në një deklaratë të publikuar të premten në platformën X, kopshti zoologjik konfirmoi se videot ku Punch shihet duke u trajtuar ashpër janë autentike. Sipas tyre, kjo është pjesë e procesit të tij të rritjes, pasi ai po mëson si të sillet si majmun pa praninë e nënës që ta udhëzojë.
Ndërkohë, historia e tij ka pasur edhe një efekt të papritur në treg. Punch është kthyer në një influencer të paqëllimshëm: Ikea bëri të ditur për The Post se shitjet e lodrës orangutan DJUNGELSKOG janë rritur ndjeshëm. Kompania u ka kërkuar mirëkuptim klientëve në Japoni, SHBA dhe Korenë e Jugut, ku lodra është shitur plotësisht për shkak të kërkesës së lartë.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e lidhjeve shoqërore edhe tek kafshët. Joan Silk, profesoreshë e evolucionit në Universitetin Shtetëror të Arizonës, u shpreh se forca e marrëdhënieve sociale ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësi. Sipas saj, ashtu si tek njerëzit, lidhjet shoqërore ndihmojnë në përballimin e stresit dhe në menaxhimin e pasigurive që shkaktojnë ankth.
Historia e Punch-it ka rikthyer vëmendjen te nevoja për përkujdesje, përkrahje dhe lidhje sociale, jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët.
Cne Erjon Brace ketu