Princi i Uellsit, William, foli hapur rreth shëndetit mendor në një nga episodet e emisionit “Life Hacks” të BBC Radio 1.
“Na duhen më shumë modele meshkujsh për të folur publikisht për shëndetin e tyre mendor, në mënyrë që të ndihmojnë burrat e tjerë të bëjnë të njëjtën gjë”, u shpreh princi William.
Shëndeti mendor është një kauzë e rëndësishme për princin dhe Fondacioni i tij Mbretëror po kontribuon 1 milion paund për të zhvilluar një Rrjet Kombëtar për Parandalimin e Vetëvrasjeve dhe sipas princit William përhapja e vetëvrasjeve në Mbretërinë e Bashkuar ishte një katastrofë e vërtetë kombëtare.
“Më është dashur shumë kohë duke u përpjekur të kuptoj emocionet e mia dhe pse ndihem kështu dhe mendoj se ky është një proces shumë i rëndësishëm për t’u bërë herë pas here, të kontrollosh veten dhe të kuptosh pse po ndihesh kështu”, tha ai si një reflektim për veten e tij.
Ai vlerësoi rolin e organizatave që punojnë në këtë fushë dhe mbështetjes së tyre si një mundësi për ndihmë nëse dikush kalon një moment të vështirë.
“Dhe nëse flasim më shumë për këtë dhe i edukojmë njerëzit më shumë, atëherë shpresojmë që ideja e vetëvrasjes të vazhdojë të shtyhet gjithnjë e më larg. Sepse e di që nesër, mund të zgjohesh dhe mund të ndihesh shumë ndryshe”,pohoi Princi i Uellsit.
Sipas tij, kriza e shëndetit mendor është e përkohshme, edhe pas një momenti të fortë krize të shëndetit mendor, gjithçka kalon. I pyetur nga moderatori Greg James, nëse fëmijët e tij flasin hapur në lidhje me ndjenjat e tyre, ai u përgjigj: “Ndonjëherë shumë, më tregojnë të gjitha detajet, gjë e cila më pëlqen shumë”.
Princi William i inkurajoi njerëzit të mësojnë ta duan dhe ta kuptojnë veten e tyre./E.K
Lini një Përgjigje