Pse vera nuk është më stina e artë për linjat ajrore

28 Gusht 2025, 21:50Lifestyle TEMA
Pse vera nuk është më stina e artë për linjat ajrore

Udhëtimet verore, dikur periudha më e artë për kompanitë ajrore, po bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme. Çmimet e biletave rriten, por fitimet nuk ndjekin të njëjtin ritëm. Pasagjerët po ndryshojnë zakone, shkollat po nisin vitin gjithnjë e më herët dhe kompanitë po përballen me një realitet ku vera nuk është më “garanci suksesi”.

Dikur, korriku dhe gushti ishin muajt kur avionët ishin plot dhe bilancet fryheshin. Sot, skema është ndryshe. Shumë udhëtarë po zgjedhin të fluturojnë në maj ose qershor, ndërsa ata që duan Europën po zhvendosin planet drejt vjeshtës.

Rezultati? Gushti nuk është më kulmi i udhëtimeve, por një muaj boshatisjeje të papritur. Vetëm këtë vit, kapaciteti i brendshëm ajror në SHBA ra me 6% nga korriku, një shenjë se linjat po detyrohen të përshtatin oraret.

Çmimet, siç pritej, kanë shkuar lart. Një biletë në korrik kushtonte mesatarisht 0,7% më shumë se një vit më parë, dhe 4% më shumë se në qershor. Por ky “bonus” nuk mjafton për të zbutur koston e lartë të karburantit dhe pagave. Gjigantët e industrisë, nga Delta te American Airlines, kanë rishikuar parashikimet e fitimit, duke pranuar se vera nuk po jep më atë që jepte dikur.

Edhe zakonet e prenotimit janë përmbysur. Në vend që të sigurojnë biletën muaj më parë, udhëtarët presin momentin e fundit. JetBlue raportoi një valë rezervimesh për vetëm dy javë para Memorial Day në SHBA, një ‘simptomë’ e qartë e kohëve të reja.

Ndikimin e vet e kanë edhe shkollat, sidomos në SHBA, ku nisja e vitit të ri akademik është zhvendosur gjithnjë e më herët. Në Dallas dhe Atlanta, nxënësit u kthyen në klasa që në fillim të gushtit, duke mbyllur sezonin e udhëtimeve familjare përpara kohe. Southwest e shpalli verën të mbyllur më 5 gusht, plot dhjetë ditë më herët se vitin e kaluar.

Kompanitë, megjithatë, po mësojnë. Në vend që të “ndërtojnë kisha për Pashkë”, pra të krijojnë kapacitete gjigante vetëm për pikat kulmore, ato po eksperimentojnë me orare më të shpërndara dhe me destinacione të reja ndërkombëtare.

Në horizont shihet një verë e re, më fleksibël, më e shtrenjtë, por edhe më e paparashikueshme.

Nëse deri dje vera ishte sinonim i qetësisë financiare për linjat ajrore, sot është një lojë strategjish ku fiton ai që përshtatet më shpejt. Dhe për udhëtarët, kjo do të thotë një gjë të thjeshtë: prisni më pak garanci, por ndoshta më shumë mundësi për aventura jashtë sezoneve të pikut. (CNBC)

1 Komente

  1. A
    Al

    Po par ca jane linjat ajrore mihali ne dhermi o kara gazetare? Eshte supply and demand ata qe nuk fluturojne ne gusht fluturojne ne shtator eshte i njejti volum ju idiotet qe i ngrini cmimet ne qershor pa pas prenotime

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje