Shkencëtarët dhe inxhinierët e klimës kanë dalë me një ide të pazakontë për të ngadalësuar shkrirjen e akullnajës Thwaites në Antarktidën Perëndimore, e njohur ndryshe edhe si “Akullnaja e Fundit të Botës”. Sipas tyre, zgjidhja mund të jetë ndërtimi i një muri gjigant nënujor me gjatësi rreth 80 kilometra për të bllokuar ujin e ngrohtë të oqeanit që po përshpejton shkrirjen e saj.
Akullnaja Thwaites po shkrihet më shpejt nga sa ishte parashikuar dhe konsiderohet një nga më të rrezikshmet për rritjen e nivelit të detit. Ajo llogaritet të jetë përgjegjëse për rreth 4% të rritjes vjetore globale të nivelit të detit. Nëse do të shembej plotësisht, mund të shkaktonte një rritje të nivelit të detit me rreth 65 centimetra, duke rritur ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve për miliona njerëz që jetojnë në zonat bregdetare.
Propozimi parashikon vendosjen e një “perdeje” fleksibël nënujorë, të ankoruar në shtratin e detit, e cila do të shërbente si barrierë për të ndalur depërtimin e rrymave të ngrohta drejt bazës së akullnajës. Edhe pse kjo strukturë nuk do të ndalonte ndryshimet klimatike, studiuesit besojnë se mund të ngadalësonte ndjeshëm humbjen e akullit.
Sipas planit, barriera do të kishte një lartësi rreth 152 metra dhe do të shtrihej përgjatë 80 kilometrave përballë akullnajës. Projekti do të niste me një fazë kërkimore trevjeçare, ku do të testoheshin materialet, dizajni dhe prototipet për të vlerësuar nëse një ndërhyrje e tillë është e realizueshme.
Ndërkohë, shkencëtarët po mbledhin të dhëna të reja nga brendësia e akullnajës. Përmes shpimeve me ujë të nxehtë, ata po vendosin instrumente në thellësi deri në 1,000 metra për të studiuar mënyrën se si oqeani ndërvepron me bazën e akullit. Këto matje pritet të ndihmojnë në kuptimin më të mirë të proceseve që po përshpejtojnë shkrirjen e një prej akullnajave më të paqëndrueshme në planet./E.K
Burimi: AS (as.com)
Me lire ju bie te ftohni ujin prane akullnajes....