Epoka e fitimeve “në heshtje” në rrjete sociale ka marrë fund. Ndryshimet e reja ligjore, të botuara në Fletoren Zyrtare si pjesë e paketës fiskale, e njohin tashmë zyrtarisht aktivitetin online si aktivitet ekonomik, duke vënë nën lupë influencerët, blogerët dhe VIP-at aktivë në Instagram, TikTok apo platforma të tjera digjitale.
Çdo individ që gjeneron të ardhura nga interneti do të konsiderohet subjekt tregtar, me detyrimin për të publikuar në profilin ose faqen e tij NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktet zyrtare. Masa prek drejtpërdrejt figurat publike dhe krijuesit e përmbajtjes që bashkëpunojnë me biznese dhe përfitojnë pagesa për reklama apo promovime.
Por si do të identifikohen ata që shmangin formalizimin?
Sipas ndryshimeve në ligjin për procedurat tatimore, administrata tatimore do të monitorojë aktivitetin ekonomik online, duke u bazuar kryesisht në të ardhurat e depozituara në llogaritë bankare individuale. Pas njoftimit zyrtar, influencerët dhe VIP-at do të kenë afat për të formalizuar aktivitetin e tyre dhe për të publikuar të dhënat përkatëse.
Audituesi ligjor Avni Tobli shprehet se ky hap ishte i pashmangshëm:
“Ashtu si çdo biznes tjetër, edhe influencerët duhet t’i kenë të ekspozuara të dhënat bazë. Sot, vetë bizneset që bashkëpunojnë me ta kërkojnë fatura për pagesat e kryera. Ka gjithnjë e më shumë influencerë që po vijnë për t’u regjistruar si subjekte tregtare, sepse kjo tashmë është domosdoshmëri.”
Ligji parashikon masa të ashpra ndëshkuese për ata që refuzojnë zbatimin. Nëse brenda 15 ditëve nga njoftimi zyrtar nuk publikohen të dhënat e kërkuara, administrata tatimore i drejtohet AKEP-it për bllokimin e llogarive në rrjetet sociale, si dhe aplikimin e gjobave përkatëse.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2025 janë identifikuar rreth 100 profile aktive në rrjete sociale që kanë gjeneruar mbi 33 milionë euro të ardhura, të depozituara në llogari bankare personale. Shifra që tregojnë qartë rritjen e ekonomisë online, por edhe nivelin e lartë të informalitetit që tashmë synohet të futet nën kontroll tatimor./ Burimi: Top Channel
Do kene emra bizneset e tyre? Haha, c'do na degjojne veshet me keta influencere dhe blogere! Po dhe kritere per ushtrim duhet te vihen pervec tatimeve sepse shumica jane te papranueshem nga ana etike dhe morale.