Ambasadori i Ukrainës në Tiranë i bën thirrje Perëndimit: Vendi im është mbuluar me gjak, na ndihmoni me armë

8 Prill 2022, 13:16Politika TEMA

Ambasadori i Ukrainës në Tiranë i bën thirrje

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov ka falënderuar popullin shqiptar dhe Shqipërinë për solidaritetin që kanë treguar për Ukrainën. Gjatë fjalimit në manifestimin e organizuar në Tiranë në mbështetje të Ukrainës, ambasadori ukrainas tha se lufta nuk ka të ngjarë të mbarojë dhe se ushtria ruse po vendos artileri të rënda në Ukrainën lindore.

“Falenderoj Shqipërinë për mbështetjen. Falenderoj popullin shqiptar për ndihmën reale që i ofrojnë popullit tonë”, u shpreh Shkurov.

Ambasadori tha se masakrat e kryera në Bucha, Chernihiv, Mariupol në shumë qytete të ndryshme janë provë e vuajtjeve të civilëve të pafajshëm. “Kam shumë informacion zyrtar për tmerret e luftës si ambasador, por gjithashtu kam edhe më tepër prova nga njerëz realë që i kanë mbijetuar këtij pushtimi dhe ajo që ata na thonë na ndryshon realisht perceptimin se çfarë është e mirë dhe se çfarë është e keqe.

Të gjithë e keni parë tmerrin e lënë pas nga pushtuesi rus. Bucha, Irpin, Chernihiv, Mariupol dhe shumë qytete të tjera janë provë e vuajtjeve të civilëve të pafajshëm. Ngacmimet, vrasje të civilëve, tortura, përfshin edhe të miturit. Të githa këto bëhen me vetëqëllim dhe cinizëm që tregojnë jo vetëm reflekset kafshërore të agresorit, por edhe një dëshirë e vetëdijshme për të nëpërmkëmbër dhe shkatërruar vendin tonë”, tha ai.

Shkurov tha se armiku rus po përqendron sulmet në Ukrainën lindore dhe u shpreh se ukrainasit e kuptojnë që agresioni nuk do të ndalojë. "Sot e kësaj dite armiku jonë po përqendron mijëra tanqe, artileri, raketa, avionë në Ukrainën lindore dhe ne e kuptojmë që diçka e tillë nuk do të ndalojë”, tha Shkurov.

Ambasadori i bëri thirrje Perëndimit që të dërgojë në Ukrainë armët e nevojshme dhe të vendosë sanksionet e nevojshme duke përfshirë këtu edhe energjinë e ekonominë ruse.

“Edhe njëherë i bëj thirrje botës së qytetëruar që të bëjë gjithçka që është e mundur për të transferuar në Ukrainë armët e nevojshme, për të vendosur sanksionet më të rënda të mundshme siç janë embargoja e energjisë, transportit dhe ajo ekonomike”, tha ambasadori. 

Lini një Përgjigje