Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann ka sqaruar përfundimisht se pse është anuluar një grant prej 28 milionë eurosh nga fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, lidhur me Portin e Durrësit, ku ka shpjeguar se gjithçka lidhet me ndryshimin e kushteve të investimit.
“Sa herë ka ndryshim të kushteve të investimeve, ndryshim të granteve të investimeve, kjo bën që ato të anulohen”, ka treguar diplomatja gjermane.
Teksa, ajo e theksoi se pavarësisht këtij fakti, kjo gjë nuk do të thotë se nuk do të ketë komunikim me Qeverinë për të kuptuar se si investimi mund të zhvillohet më tej e më pas të kryhet.
Anulimi i grantit
Granti i Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor për Portin e Durrësit është anuluar të enjten e 24 nëntorit 2022.
Kështu ka konfirmuar për Albanian Post zyra për media e Bashkimit Evropian në Tiranë, pasi lajmi u dha fillimisht nga “Radio Evropa e Lirë”.
Shkak për këtë vendim është bërë modifikimi i projektit.
“Si rezultat i modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual, BE-ja ka anuluar grantin e mbetur të WBIF (Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor) për investimin për projektin e mëparshëm të portit”.
Zyrtarët e unionit shprehen se, janë “duke u konsultuar me përfaqësuesit e Qeverisë edhe për prioritetet e investimeve”.
Vlera e këtij granti ishte 28 milionë euro.
Projekti parashikonte rehabilitimin e kalatave 1 dhe 2 në Terminalin Perëndimor të Portit të Durrësit, ku përpunohen thuajse të gjitha mallrat që vijnë nga jashtë.
Ndërhyrja ishte e domosdoshme pasi njëra prej tyre është ndërtuar në vitet 1945-1951 dhe tjetra më 1972 dhe ndërhyrjet e vetme janë bërë më 1994.
Projekti i financuar edhe nga BE-ja, parashikonte zgjerimin e sipërfaqes së kalatave, si dhe rritjen e thellësisë së projektuar, në mënyrë që të ankorohen edhe anije më të mëdha.
Ndërkohë, marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar, e shndërron portin aktual në port jahtesh.
Nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian shpreh rezerva për projektin e qeverisë shqiptare për të transferuar portin e Durrësit në Porto Romano.
Ndërkohë, sot në Kuvendin e Shqipërisë merret vendim për hapjen e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar.
Me mire qe u anallua sepse porti do te mbetej ne nivelet e nje shekulli mbrapa po te shikosh invetimin prej 2.5 miliard duke e kthyer ate ne nje makine qe do te gjeneroje mireqenie per popullin e Durresit e Shqiperise.