Balla kërkesë Kuvendit, kërkon një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit Kalaja

8 Tetor 2025, 13:41Politika TEMA

Balla kërkesë Kuvendit, kërkon një minutë heshtje

Në Konferencën e Kryetarëve, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar që në seancën plenare të nesërme të mbahet një minutë heshtje në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën në krye të detyrës, duke dhënë kështu edhe shembullin se si duhet vepruar në këto raste, pasi vetë Balla ka kritikuar shpesh në seanca qasjen e opozitës që kërkon aty për aty minutën e heshtjes me kërkesa të njëanshme.

“Propozova që nesër, sipas parashikimeve të Rregullores së Kuvendit, gjatë ose në fillim të seancës plenare, të mbahet një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit Kalaja, i cili ra në krye të detyrës brenda sallës së gjyqit. Kërkova që Kuvendi ta realizojë këtë moment në një orë të dakordësuar mes meje dhe kryetarëve të grupeve parlamentare, në mënyrë që të jetë e njohur për të gjithë deputetët,” deklaroi Balla.

Në rendin e ditës, përveç dy kërkesave nga Partia Socialiste për ngritjen e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe reformën administrative territoriale ishte edhe shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për zhvillim të mocionit me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë” në lidhje me gjetjet e OLAF për fondet nga programi IPARD.

Balla vuri në dukje se argumenti kryesor i opozitës është ngritja e një komisioni të posaçëm për çështje që trajtohen tashmë nga Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural dhe nënkomisionet e tij.
“Argumenti kryesor i kësaj çështjeje është ngritja e një komisioni të posaçëm për çfarë? Zogjtë, tokat, bimët, financimin e bujkut në fshat, thoni ju duhet komision i posaçëm. Por ne e kemi këtë komision dhe nënkomisionet përkatëse, ku përfaqësuesit tanë merren me këto çështje. Unë kam sjellë sot si firmëtar, jo si kryetar i grupit, dy kërkesa të motivuara dhe me vendimet përkatëse, të cilat nesër do të votohen në Kuvend, sipas traditës parlamentare. Pra, ju e bëni me qëllim kërkesën gabim që t’ia pamundësoni kësaj tryeze dhe votës në seancë plenare.Në formë, kërkesa është gabim, e pamundur të shprehesh: o do të bësh mocion me debat, ose do të bësh ngritjen e një komisioni të posaçëm sipas modelit të konsoliduar të traditës sonë parlamentare,” theksoi Balla.

Balla iu referua vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilave kërkesat për interpelanca apo komisione hetimore duhet të bazohen në fakte.
“Gjykata thotë që kërkesa duhet të bazohet mbi fakte e jo mbi thashetheme. Kjo maxhorancë do të votojë çdo kërkesë, të çdo lloj forme, nëse kërkesa do të shoqërohet me fakte,” tha Balla. “E kam lexuar e stërlexuar kërkesën tuaj. Ne nuk i kemi këto dokumente; asnjë nga kolegët nuk ka akses në komunikimet mes OLAF dhe Komisionit Europian, sepse nuk e kemi këtë mundësi. Në vlerësimin tim, gjërat që thoni janë në kontekstin e thashethemeve, derisa nuk shoqërohen me dokumentacion zyrtar.”

Maxhoranca nuk pranoi mocionin e propozuar nga opozita për zhvillimin e një debati si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm lidhur me gjetjet e OLAF-it, ndërsa për shkak të nderimeve të fundit për gjyqtarin e vrarë në krye të detyrës, Astrit Kalaja, krerët e grupeve parlamentare të PS dhe PD ranë dakord që dy Komisionet e Posaçme të shtyhen për javën e ardhshme.

1 Komente

  1. s
    sapa

    Te tilla minute heshtje pacim cdo dite!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje