Edhe pse Avokati i Popullit bëri një raport dhe dha rekomandime për rastin e ish-presidentit Ilir Meta, i paraburgosur dhe arrestuar prej 21 tetorit 2024 me urdhër të SPAK, ende nuk është zbatuar asnjë prej tyre.
Kështu u shpreh sot deputeti Tedi Blushi, në një konferencë për mediat bashkë me avokatët mbrojtës të kreut të Partisë së Lirisë.
Ai vuri në dukje gjithashtu edhe shkeljet e rënda nga Burgjet, ku Metës nuk i lejohet as ajrosja ditore, sikurse gëzon të drejtën sipas konventave ndërkombëtare, ashtu siç veprohet me të gjithë të paraburgosurit apo të dënuarit.
“Nuk është marrë asnjë masë. I jam drejtuar Ministrit të Drejtësisë, Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, por asnjë përgjigje. Asnjë masë nuk është marrë dhe asnjë rekomandim i Avokatit të Popullit nuk është zbatuar”, tha Blushi.
Më tej ai tregoi se aktualisht nuk komunikon dot me Metën, pasi nuk i lejohet nga SPAK. Gjithashtu nuk i lejohet as deputetëve dhe eurodeputetëve që ta takojnë dhe mbahet i izoluar në kushte ekstreme.
“Nuk kontaktojmë dot dhe nuk komunikojmë dot, edhe unë që jam Sekretar i Përgjithshëm i PL, nuk gëzoj asnjë të drejtë, nuk komunikoj dot me zotin meta. As deputetët dhe as eurodeputetët nuk takohen dot me të, edhe pse ia garanton ligji dhe Konventat Evropiane”, shpjegoi Sekretari i Përgjithshëm i PL.
Madje denoncoi se aktualisht presidentit të partisë nuk i lejohet as ajrosja, një e drejtë minimale për çdo të paraburgosur.
“Edhe tek ajrosja janë vendosur kufizime, të gjithë të paraburgosurit e bëjnë çdo ditë ajrosjen, kurse zoti Meta jo, është i vetmi që nuk e bën”, tha Blushi.
Oh, jo, jo rekomandimet e Avokatit të Popullit. Ato janë shumë të rëndësishme vlla, pse nuk u zbatuan? Oh jo...