Parlamenti ka nisur me debate që në nisje në lidhje me rregulloren e re të Kuvendit që është miratuar në seancat e kaluara.
Deputetë të opozitës kërkojnë debat dhe shprehen se nuk kanë në dispozicion rregulloren e re të Parlamentit.
Ndërkohë, kryeparlamentari Niko Peleshi u kundërpërgjigj duke thënë se rregullorja e re u është shpërndarë deputetëve si dhe gjendet në faqen online të Parlamentit.
Deputetja e PD-së Ina Zhupa ka ‘protestuar’ në hapje të seancës dhe ka kërkuar vijim e diskutimeve të bëra në seancën e kryetarëve. Ndër të tjera, ajo kërkoi që parlamenti të hidhte për diskutim raportin e DASH mbi klimën ekonomike në Shqipëri, por sipas saj, PS e refuzon pasi aty flitet për korrupsion dhe krim.
“Parlamentit i shkon te diskutojnë për problematikat e qytetarëve dhe jo të mblidhet dhe të bëjmë noterin e atyre qe vendosni ju atje. Sollët 19 projektligje në një ditë për t’i miratuar.
Prioriteti i këtij kuvendit nuk mund të jetë thjeshtë kartoni për të kaluar një procedurë për 5 minuta. Duhet të jetë demokracia transparenca dhe bërja e interesit publik. Këto kanë munguar dhe do të mungojnë. Del DASH dhe ky Kuvend nuk e diskuton se aty flitet për korrupsion dhe krim”, tha Ina Zhupa.
Deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, në fjalën e tij në Parlament, i është ankuar kryeparlamentarit Niko Peleshi që t’i vendosë në dispozicion rregulloren e re të Kuvendit.
“Kam bërë një kërkesë seancën e kaluar për rregulloren. E keni detyrim të na e vendosni në dispozicion. Neni 78 pika 2 e Kushtetutës i bën të pavlefshme të gjithë mbledhjet pikërisht se ju nuk na i keni vënë në dispozicion... Kjo kërkesë e jona nuk është kërkesë për të shtyrë seancën. Ne vijmë në seancë, ndërkohë që ne nuk dimë çfarë kemi ndryshuar në rregullore. A mund të quhet një seancë e zhvilluar normalisht”?
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi është shprehur se rregullorja e re është shpërndarë, si dhe gjendet online në faqen e Parlamentit. Megjithatë, Peleshi u kërkoi shërbimeve të Kuvendit që të shpërndajnë rregulloren e re nëse ndonjë deputet nuk e ka marrë.
“Padyshim që është e drejta e çdo deputeti të ketë aktet, por rregullorja e re më konfirmojnë nga shërbimet e Kuvendit që ju është shpërndarë të gjithë deputetëve dhe për tepër është dhe në faqen e kuvendit. Të gjithë e kanë marrë”, u shpreh kryeparlamentari Niko Peleshi.
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka hedhur akuza ndaj mazhorancës se po shkel rregulloren e Kuvendit.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku tha se komisioni parlamentar për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura, është antikushtetues dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit.
“Grupi Parlament i PD ka kërkuar një mocion për kryetarin e Parlamentin dhe një mocion me debat për programin e qeverisë dhe një interpelancë për programin e qeverisë për integrimin në BE.
Mendoj që duhet të fokusohemi tek kërkesat që u diskutuan në Konferencën e Kryetarëve..
Ne e patëm një debat në Konferencën e Kryetarëve për përgjegjësinë e Komisioneve Parlamentare. Komisioni për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura është antikushtetues dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit. Ka vetëm një Komision përgjegjës, ashtu si e thotë rregullorja në nen 37 dhe 38, Komisioni Përgjegjës, mban përgjegjësi për raportimin e institucioneve. Nuk ka komisione parlamentare të rëndësi së parë dhe të dytë, të gjithë kanë të njëjtën rëndësi”, tha Tabaku.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, i ka tërhequr vëmendjen deputetëve të opozitës që të respektojnë rregulloren e kuvendit.
Balla tha fjala për procedurë merret pas miratimit të procesverbalit dhe pas prezantimit të rëndit të ditës. Ndërsa thumboi edhe Jorida Tabukun, për të cilën tha se nuk iu durua dot për çështjet që u diskutuan në Konferencën e Kryetarëve.
“Në seancën e kaluar kam kërkuar, kam marrë fjalën ku në bazuar që në procesverbal kam kërkuar respektimin e rregullores. Kam cituar se seanca plenare fillon me votimin e procesverbalit të seancës së kaluar. Kemi mbi 20 minuta që dëgjojmë diskutantë që nuk kanë thënë asnjë fjalë për fjalën e tyre në seancën e shkuar. Dhe për herë të parë në kaq vite, ka precedentë që nuk ka ndodhur asnjëherë, nuk ka pasur diskutime në pikë të rendit të ditës.
Fjala për procedurë merret pas miratimit të procesverbalit dhe pas prezantimit të rëndit të ditës një për një. Ne kemi pasur një diskutim frutdhënës në Konferencën e Kryetarëve, dhe dëgjova këtu një deputete që iu referua kësaj çështje, por nuk iu durua dot të kalonim tek kjo çështje dhe e mori fjalën për procesverbal. Tani pak durim, se për atë pikë janë të autorizuar krerët e grupeve parlamentare”, tha Balla në Kuvend.
Kreu i Parisë Republikane ka hedhur akuza ndaj mazhorancës se ka shkelur Kushtetutën për ndryshimet në Komisionet Parlamentare.
Mediu tha se nuk janë përcaktuar detyrat dhe detyrimet e Komisioneve Parlamentare.
“Mendoj se si Kryetar i Kuvendit, kur vini dhe paraqisni përballë Kuvendit, ndarjen mes pozitës dhe opozitës, duhet të bëni të qarta edhe arsyet. Sot Grupi Parlamentar i PD, iu kërkoi miratimin e kalendarit të punimeve të Kuvendit, të kishte edhe të pasqyruar edhe komisionet përkatëse edhe shqyrtimet. gjë e cila nuk na u dha, dhe mendoj që është në drejtën e secilit deputet se çfarë voton. Po ashtu duhet të rikthej në vëmendje funksionet në grupet parlamentare. E përsëris, ka dy procedura, njëra kryhet në seancë plenare, tjetra kryhet në grupet e përhershme parlamentare. Ju në kundërshtim me Kushtetutën, ndryshuat komisionet, pa përcaktuar se kush janë detyrat dhe detyrimet e tyre. Dhe prandaj jemi në këtë situatë sot”, tha Mediu.
Ministri i Shtetit për Parlamentin, Toni Gogu, thotë se në Parlament sot janë dërguar për t’u shqyrtuar 19 projektligje.
Në fjalën e tij në Parlament, Gogu sqaroi se këto pr/ligje janë ridërguar për shqyrtim pasi legjislatura e kaluar nuk mundi t’i shqyrtonte.
“Janë 19 projektligje që kanë ardhur si pasojë e ridërgimit nga kuvendi me mbylljen e legjislaturës së kaluar. Legjislatura e kaluar nuk mundi t’i shqyrtonte këto ligje. Janë ato projekte, nuk ka asnjë gjë të re, nuk ka nevojë që të vazhdojmë me akrobacira proceduriale, ne mezi e presim opozitën që të vijë me të gjitha alternativat e saj, nëse do vazhdoni të harxhoni 10 ditë dhe nuk keni thënë asnjë fjalë për programin që është publik, ne do vazhdojmë t’i shqyrtojmë ato”.
Deputetja e Partisë Socialiste Erjona Ismaili i është kundërpërgjigjur opozitës, duke thënë se qeveria sot nën drejtimin e Edi Ramës, prodhon më tepër demokraci se mund të bënte PD-ka.
Ndër të tjera, referuar refuzimit të miratimit të procesverbalit të kaluar, Ismaili tha se ministres së AI do t’i ngarkohet detyra për të shkruar në raport dhe sendet e hedhura nga opozita në drejtim të kabinetit qeveritar.
“Kuvendi duhet ti kthehet normalitetit. Unë e kuptoj dhe jam e bindur qe kjo qeveri prodhon me shume demokrati sesa opozita mundet të kapërcej por ne e kemi të qartë vizionin dhe nuk bëjmë asnjë hap pas. Për procedurën duhej të ishin të transkriptuara çdo shishe të hedhura mbi kokat e kryeministrave, çdo kushtetutë e fluturuar e çdo rregullore, por kjo do jetë një detyrë që do ja ngarkojmë Diellës.
Pse dine te lexojne keta,mjafton çfaee thote Salehu dhe passtaj ata yxhym mbrapa.