Do të votohet sot për president, Begaj: Nëse marr detyrën, respekti për tjetrin dhe dashuria për atdheun do të jenë shigjetat e busullës sime

4 Qershor 2022, 12:46Politika TEMA

Do të votohet sot për president, Begaj: Nëse marr detyrën,

Kandidati për President i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar para votimit nga ligjvënësit shqiptarë.

Mesazhi i plotë:

Ishte sa e papritur aq edhe e madhe pesha e emocionit që ndjeva, kur mora lajmin se maxhoranca parlamentare kishte vendosur të më paraqiste si kandidat në seancën e sotme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.


Me mirënjohje të thellë dhe respektin më të lartë për bashkëpunëtorët, kolegët, anëtarët e familjes së madhe të Forcave të Armatosura të Republikës, kam nënshkruar kërkesën për lirimin nga detyra e lartë ku kam pasur deri më sot nderin e përgjegjësisë së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi.

Puna ime si mjek dhe si ushtarak më ka mësuar shumë, po mbi të gjitha më ka mësuar vlerën e respektit për tjetrin dhe të dashurisë për atdheun.


Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë sot që unë do të jem Presidenti i ardhshëm i Republikës, respekti për tjetrin dhe dashuria për atdheun do të jenë shigjetat e busullës sime në atë detyrë të lartë. Respekt pa kushte për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje. Respekt i barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar.

Respekt për miqtë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë. Shqipërinë mbi gjithçka.

Duke i falenderuar të tërë për fjalët e mira e mesazhet miqësore dhe duke shprehur respektin më të madh për gazetarët që bëjnë detyrën e tyre fisnike, lutem përulësisht mirëkuptimin e të gjithëve për refuzimet e intervistave apo prononcimeve mediatike.

Jam mësuar që puna ime të flasë për mua, jo unë për veten time dhe kam frikë se nuk e ndryshoj dot këtë edhe po të dua.

Bajram Begaj

5 Komente

  1. S
    Sara

    shkurt, paster, qarte! tamam ushtarak...

    Përgjigjjuni
    1. A
      Aron

      Urime z. President!

      Përgjigjjuni
      1. K
        Komentator Politik ????????

        Kemi nevoj për një bilan shëndetësor.Siq ndodh në shtëpin e barrdhë.

        Përgjigjjuni
        1. P
          Poli

          Dakort por si shpjegohet tjetersimi I pronave te ushtrise e ndertimet brrnda bazave...nderkohe qe baza e Sarandes e vetmja be ate zone thuajse eshte zhdukur........thone me Firmen tuaj

          Përgjigjjuni
          1. l
            lenci bira

            Gesuar dhe per shume vjet bajramin, qoft i hajrit Nuk e di si shqiptohet ne anglisht emeri bajram?

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje