
Kuvendi i Shqipërisë do të votojë sot kandidaturën e propozuar nga Partia Socialiste si president të Republikës.
Në orën 18:00, ligjvënësit do mblidhen në sallën e Parlamentit për të votuar emrin e vetëm të propozuar nga kryesia e Partisë Socialiste për të qenë Presidenti i 8-të në historinë pluraliste.
Gjeneralmajor Bajram Begaj, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, pritet të zgjidhet sot në raundin e katërt, pasi tri raundet e para u dogjën për shkak të mungesës së kandidatëve.
Sipas Kushtetutës, në dy raundet e mbetura kreu i shtetit zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. PS, për të mbështetur kandidatin e saj të zgjedhur në kryesi, ka mjaftueshmërisht vota, 74, por nuk përjashtohet mundësia që emri i Begajt të kapërcejë këtë shifër të maxhorancës. Pro kandidaturës së tij mund të votojnë edhe deputetë të partive të vogla opozitare.
Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat. Ligji themeltar i vendit, Kushtetuta, ka përcaktuar qartë procedurën, afatet kushtetuese, betimin dhe marrjen e detyrës së Presidentit të Republikës.
Nëse Bajram Begaj merr 71 vota e nevojshme, ai duhet të presë deri në 24 korrik për të marrë detyrën, ditën që i mbaron mandati Presidentit aktual, Ilir Meta.
Sipas nenit 88, pika 3 e Kushtetutës, “Presidenti fillon në detyrë pasi bën betimin para Kuvendit, por jo më parë se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet”.
Presidenti bën këtë betim: “Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar”.
Presidenti mund të shtojë edhe: “Zoti më ndihmoftë!”
Shalqin për të gjithë pas votimit.