“Fokusi ynë te Integrimi”/ Erjona Ismaili: Protesta, kundër zhvillimit të Shqipërisë. Ka ndikime të jashtme dhe dezinformim mbi projektet!

21 Qershor 2026, 20:00Politika TEMA
“Fokusi ynë te Integrimi”/ Erjona Ismaili: Protesta,

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, në një intervistë për “NewsRoom” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe sociale në vend, si dhe protestat e zhvilluara lidhur me projektet.

Ajo u shpreh se mbledhjet periodike të qeverisë shërbejnë për diskutimin e çështjeve të ndryshme dhe koordinimin e punës institucionale, duke theksuar se fokusi kryesor mbetet përmbushja e agjendës së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Ngjarjet e momentit kanë qenë pjesë e diskutimit, por është një mbledhje që bëhet e përmuajshme… konkluzioni lidhet me fokusin tonë për të përmbushur axhendën për rrugëtimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Ismaili.

Duke folur për protestën, ministrja tha se ajo fillimisht ishte paraqitur si një protestë për mbrojtjen e mjedisit, por sipas saj, më pas është shndërruar në një nismë që nuk i shërben zhvillimit të vendit.

“Protesta e nisur si një protestë për mbrojtjen e mjedisit, por tashmë në gjykimin tim është në funksion të interesave të caktuara dhe jo pro zhvillimit të Shqipërisë”, deklaroi ajo.

Ismaili shtoi se në këtë situatë ka ndikime të jashtme dhe përpjekje për dezinformim, duke përmendur edhe aktorë ndërkombëtarë dhe grupe të ndryshme që sipas saj synojnë të ndikojnë opinionin publik.

“Interesat së pari lidhen me Iranin, duke ndikuar në një dezinformim masiv për projektin… janë evidentuar edhe grupe të tjera që për shkak të një konkurrence që mund të vijë nga investimet në Shqipëri”, tha ajo.

Në lidhje me projektin në Vlorë, ministrja theksoi se qyteti e mbështet atë dhe është i ndërgjegjshëm për përfitimet ekonomike dhe zhvillimore, duke shtuar se qeveria është e angazhuar që çdo zhvillim të respektojë standardet mjedisore.

“Vlora e mbështet projektin dhe është e ndërgjegjshme për avantazhet… jemi të interesuar për një projekt që zhvillohet duke respektuar natyrën”, përfundoi ajo.

Lini një Përgjigje