VIDEO/ Heshtja e Albin Kurtit, Kasmi: Duhet të fliste për akuzat e përfshirjes së aktivistëve të Vetëvendosjes në protestë

28 Qershor 2026, 11:30Politika TEMA
VIDEO/ Heshtja e Albin Kurtit, Kasmi: Duhet të fliste për akuzat e

Historiani dhe autori Marenglen Kasmi, i ftuar në podcastin “Apostrof”, ka folur për rrezikun që, sipas tij, pseudo-patriotizmi të përdorë ndjenjat kombëtare në funksion të zhvillimeve të brendshme politike.

Duke komentuar protestat e fundit në Tiranë dhe përfshirjen e shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, Kasmi tha se nuk po bën akuza, por po vëren një prirje shqetësuese.

“Për fat të keq, ndonjëherë të krijohet përshtypja që pseudo-nacionalizmi luan me nacionalizmin dhe me zhvillimet patriotike. Këto janë gjëra që nuk duhet të ndodhin. Nuk po akuzoj, po vëzhgoj”, u shpreh ai.

Kasmi u ndal edhe te thirrjet publike për pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në protestat e Tiranës, duke thënë se politika nuk duhet të luajë me ndjenjat kombëtare.

“Më vjen keq që një politikani i ri, të cilin e kam vlerësuar, e pashë që bënte thirrje: ‘Sa më shumë, vëllezër kosovarë, hajdeni të protestojmë së bashku në Tiranë’. Jo, nuk duhet kështu”, tha Kasmi.

Sipas tij, është e nevojshme të bëhet një ndarje e qartë mes patriotizmit dhe përdorimit politik të nacionalizmit.

“Nëse bëjmë politikë, atëherë bëjmë politikë ashtu si duhet, por kurrsesi duke luajtur me nacionalizmin. Jo patriotizmin, e theksoj, por nacionalizmin”, tha ai.

Historiani komentoi edhe heshtjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me akuzat se Vetëvendosja mund të ketë pasur rol në organizimin apo nxitjen e protestës.

“Më bën përshtypje heshtja që ka Albin Kurti për këtë çështje. Kryeministri i Kosovës duhet të ishte shprehur, të paktën për akuzat që po i bëhen, se Vetëvendosja është motori i kësaj apo një ndër organizatorët”, u shpreh Kasmi.

Megjithatë, ai theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është i domosdoshëm kur bëhet fjalë për interesin kombëtar.

“Të bashkëpunosh për interesin kombëtar është detyrim i të dyja qeverive shqiptare. Është fat i madh që shqiptarët në Ballkan kanë dy qeveri, sepse nesër në Europë je dy zëra, nuk je një zë”, tha Kasmi.

Sipas tij, shqiptarët duhet të kenë një strategji të përbashkët, por kjo nuk duhet të ngatërrohet me retorika që mund të përdoren kundër tyre.

“Nuk ka term Shqipëri e Madhe. Ka Shqipëri etnike, ka Shqipëri natyrale, por jo Shqipëri e Madhe. Shqipëria e Madhe është një term nacionalist, madje që lëviz mes nacionalizmit dhe shovinizmit, që serbët janë munduar ta çimentojnë në gjuhë dhe historiografi”, tha ai.

Kasmi shtoi se shqiptarët nuk kanë qenë popull që ka vënë në rrezik fqinjët, por paralajmëroi se propaganda vijon dhe për këtë arsye duhet kujdes në përdorimin e simboleve kombëtare.

“Nëse do të kishte një dallim të popullit shqiptar në Ballkan, është që asnjëherë nuk kanë vënë në rrezik ndonjë popull fqinj. Por propaganda vazhdon”, u shpreh ai.

Në fund, Kasmi paralajmëroi se Shqipëria duhet të tregojë kujdes që tensionet e brendshme politike të mos dëmtojnë procesin e integrimit europian.

“Duhet të kemi kujdes që të mos hyjmë në këtë skenar që të dëmtojmë pikërisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Kasmi.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Kasmi: Pseudo-patriotizmi po përdor ndjenjat kombëtare për ta zhvendosur protestën