
Autoritetet në vend kanë nisur tashmë hetimin në lidhje me sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS ditën e djeshme.
Mësohet se hetimi për këtë rast po kryhet në një dosje të vetme me sulmin e mëparshim ndaj sistemeve qeveritare, për shkak se dyshohet se autori është i njëjtë.
Ndërkohë, përveç hetuesve shqiptarë, për këtë rast është kërkuar dhe ndihmë nga 18 shtete të tjera.
Burime pranë ministrisë së Drejtësisë bënë me dije se nëpërmjet 18 letërporosive, të cilat janë dërguar në shtete të ndryshme, kërkohet identifikimi i IP, të cilat rezultojnë të jenë të lëvizshme dhe përmes tyre janë sulmuar sistemet qeveritare dhe ai TIMS.
Grupi hetimor pritet të përfshijë në dosje dhe një raport të kompanisë “Microsoft”, e cila u thirr nga qeveria shqiptare, për të bërë investigimin e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë në muajin korrik.
Kompania thotë se arriti të gjurmojë 4 grupe sulmuesish të lidhur me shërbimet inteligjente të Iranit. Sipas Microsoft, fillimisht hakerat ndërhynë në një server të pambrojtur të faqes administrata.al, në maj të vitit të kaluar, që është edhe thyerja e parë e sistemit. Sulmi u përshkallëzua dhe korrik të 2022, hakerat tentuan inkriptimin dhe fshirjen e të dhënave në server, por sipas kompanisë sulmi dështoi.
Kompania thotë nga investigimi rezultoi se njëri prej grupeve, që u përfshi në hyrjen fillestare dhe vjedhjen e të dhënave, është i lidhur me EUROPIUM, një grup i lidhur publikisht me Ministrinë e Inteligjencës së Iranit. Mikrosoft thotë gjithashtu se janë zbuluar edhe të dhëna të tjera, që e lidhin sulmin me Republikën Islamike të Iranit.
Kujtojmë se për shkak të këtyre sulmeve kibernetike, Shqipëria ndërpreu dhe marrëdhëniet diplomatike me shtetin islamik të Iranit. Qeveria dëboi nga vendi të gjithë diplomatët iranianë dhe stafin e ambasadës.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit janë të tensionuara prej vitit 2013, kur qeveria shqiptare strehoi anëtarët e grupit Muxhahedin, një grup opozitar ndaj regjimit në Teheran. Irani i konsideron anëtarët e MEK si terroristë dhe përgjatë këtyre 9 viteve janë shënuar një sërë incidentesh, përfshirë dëbimin e disa diplomatëve iranianë, apo arrestimi i një ish-anëtari të kampit muxhahedin nën dyshimet për terrorizëm.
Lini një Përgjigje