Këshilli i Mandateve shqyrton sot kërkesën e SPAK për arrestimin e Sali Berishës

18 Dhjetor 2023, 09:13Politika TEMA
Këshilli i Mandateve shqyrton sot kërkesën e SPAK për

Këshilli i Mandateve mblidhet këtë të hënë në orën 12:00 në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, që kërkon dhënien e autorizimit për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha.

Lideri i Foltores prej javësh refuzoi të paraqitej pranë gjykatës speciale, me argumentin se masa ndaj tij ishte marrë duke anashkaluar Kuvendit dhe ai nuk e njihte një vendim anti kushtetues.

Tani që prokurorët trokitën në Parlament për heqjen e imunitetit të tij, Sali Berisha nuk e ka konfirmuar ende nëse do të ulet përballë tyre në mbledhjen vendimtare të orës 12.

Edhe pse grupin e deputetëve e kishte kundër, Berisha ka thirrur protestë tek kryesia e Kuvendit në të njëjtën orë që Këshilli për Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet për arrestimin e tij.

Gazmend Bardhi nuk e mbështeti idenë e protestave, por ai është një prej 30 deputetëve që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të ndaluar arrestimin e Berishës.

Ish kryeministri është nën hetim nga SPAK për dosjen “Partizani”, nga privatizimi i të cilit, sipas prokurorëve, dhëndri i Berishës përfitoi 5 milionë euro.

Për këtë, lideri i Foltores u vu nën hetim nën masën detyrim paraqitje dhe mos dalje jashtë vendit, por Berisha nuk iu bind me argumentin e kishte imunitet.

Pas 3 mosparaqitjesh pranë SPAK, prokurorët kërkuan një masë më të ashpër ndaj tij, me arrest në burg, apo shtëpiak. Kuvendi ka parashikuar ditën e martë për të votuar heqjen e imunitetit të Sali Berishës.

1 Komente

  1. P
    Pensionisti i Porcelanit

    Hajde, me kembe te mbare! Kemi 30 vjet qe e presim kete dite te bekuar nga Zoti. E drejta vonon, por nuk mungon. Amin!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje