Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, priti në një vizitë zyrtare në Tiranë Ministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Hajrulla Çeku.
Në takimin bilateral mes dy ministrave, në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë.
Ministrja Kumbaro theksoi do të intensifikohet bashkëpunimi në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Kënaqësi e veçantë të mirëprisja në Ministrinë e Arsimit homologun tim, Hajrulla Çeku, në vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë si Ministër i Arsimit dhe Shkencës i Kosovës. Një takim që merr vlerë simbolike në një ditë të veçantë të gjuhës sonë, në nisje të Olimpiadës së dytë të përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cila nis sot në të gjitha shkollat 9-vjeçare në Shqipëri dhe Kosovë për gjuhën shqipe, identitetin që na bashkon ndër shekuj. Me Ministrinë e Arsimit të Kosovës kemi punuar intensivisht për unifikimin e kurrikulave dhe programeve mësimore, si dhe për botimin e teksteve të përbashkëta për diasporën, tashmë të digjitalizuara, të cilat u vijnë në ndihmë nxënësve shqiptarë kudo në botë”, u shpreh Kumbaro.
Nga ana e tij, ministri Çeku e cilësoi bashkëpunimin mes dy ministrive si të jashtëzakonshëm duke nënvizuar arritje të rëndësishme si abetarja e përbashkët, me të cilën mësojnë nxënësit në Kosovë, Shqipëri, në disa komuna të Maqedonisë së Veriut dhe në diasporë.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës janë miratuar nivelet I, II dhe III të teksteve për diasporën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, që përfshijnë grupmoshat e klasave 1–3, 4–6 dhe 7–9. Këto tekste tashmë janë edhe të digjitalizuara, duke e konsoliduar më tej mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Një tjetër nismë me rëndësi është Olimpiada e përbashkët e Gjuhës Shqipe, e cila nis sot dhe përfshin nxënësit e klasave të nënta nga Shqipëria dhe Kosova. Ajo do të përmbyllet më 23 maj në Prishtinë, ku ministrja Kumbaro do të zhvillojë edhe një vizitë zyrtare.
doren tjeter ku e ke o Hajrullaaa.