Seanca plenare e thirrur sot nga socialistët u kthye një ditë më parë në një përplasjeje mes opozitës dhe shumicës, me Partinë Demokratike që ka paralajmëruar bojkot dhe Partinë Socialiste që e cilëson mbledhjen si të domosdoshme për një çështje të rëndësishme ndërkombëtare.
Demokratët deklaruan se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme, duke e konsideruar atë të thirrur në shkelje të Rregullores së Kuvendit. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, bëhet fjalë për një mbledhje pa rend dite të miratuar dhe jashtë procedurave ligjore, e diktuar nga “axhenda personale” e drejtuesve të mazhorancës.
Nga ana tjetër, socialistët reaguan duke e lidhur seancën me një projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit si “shtet sponsor të terrorizmit”. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, e cilësoi këtë një nevojë urgjente, duke theksuar se Shqipëria duhet të mbajë një qëndrim të qartë në krah të SHBA-së përballë veprimeve që i konsideron terroriste nga Irani.
Përplasja u thellua me reagimin e dytë të Bardhit, i cili hodhi poshtë pretendimet e socialistëve, duke theksuar se në njoftimin zyrtar të seancës nuk përfshihet miratimi i ndonjë rezolute të tillë, por vetëm çështje procedurale si procesverbalet dhe njoftimet. Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën për shkelje të kalendarit të miratuar dhe e cilësoi Kuvendin si “bunker të korrupsionit”.
Në këtë klimë tensioni, seanca pritet të zhvillohet pa praninë e opozitës, ndërsa përplasja politike zhvendoset edhe në qëndrimet mbi politikën e jashtme dhe raportet me aleatët ndërkombëtarë./TemA
Po te merrnin pjese, do votonin kundrer vetes se tyre. E thjeshte
Ore Balla a je ne meteo ti apo jo? Si do votoje opozita kundra Iranit kur ata kane kohe gje bashkepunojne me ta per te rezuar Ramen?? Provoni te beni ndonje rezolute tjeter kundra Serbise Greqise apo Rusise dhe do shikoni nese do jete e pranishme opozita e Berishes qe ka shitur gjithcka tek ta???