Deputeti i PD, Luan Baçi, akuzoi qeverinë se po përdor të ashtuquajturën “paqe fiskale” si mjet për t’u falur borxhet oligarkëve dhe për të legalizuar pastrimin e parave në sektorët më të korruptuar të ekonomisë. Sipas tij, PS e ka kthyer parlamentin në noteri të qeverisë, duke rrëzuar mekanikisht çdo propozim të opozitës dhe duke fshehur listën e bizneseve që përfitojnë nga kjo skemë.
Luan Baçi u shpreh se “paqja fiskale” e qeverisë nuk është gjë tjetër veçse një amnisti e pastër për klientët e pushtetit, një nismë e parapërgatitur për t’u falur borxhet oligarkëve dhe për të mbuluar skemat e pastrimit të parave, sidomos në sektorin e ndërtimit.
Sipas deputetit demokrat, refuzimi i qeverisë për të bërë publike listën e bizneseve përfituese, mënyra selektive me të cilën përjashtohen nga amnistia kompanitë që kanë kërkuar drejtësi në gjykatë, si dhe përfshirja pa asnjë kriter e sektorit të ndërtimit, tregojnë qartë se kjo nismë nuk ka asgjë të përbashkët me interesin publik.
"E kam ngritur shpeshherë si problematikë edhe në komisione, që pavarësisht qetësisë që shikojmë përballë mazhorancës, janë të paravendosur për vendimet që do të marrin sido që të jetë puna, për t’i rrëzuar. Madje edhe vetë deputetët e mazhorancës, po t’i vëzhgojmë, nuk kanë as informacionin e duhur për të gjithë “paqen fiskale” apo për të gjitha ligjet e tjera që kalojnë, por thjesht e dinë që vijnë nga qeveria dhe çdo gjë që vjen nga qeveria do të miratohet formalisht në komision dhe në parlament.
Ne duhet të themi që absolutisht për “paqen fiskale”, në fakt është falje, është një amnisti fiskale. Një amnisti që është e padiskutuar me grupet e interesit. Një amnisti që nuk ka informacion askush se për çfarë bëhet dhe për kë bëhet. Ne ju kemi kërkuar si grup parlamentar i PD që paraprakisht të bëjmë publike listën e atyre bizneseve që përfitojnë nga kjo paqe fiskale, nga kjo amnisti fiskale.
Mbrojtja që bën mazhoranca është se thonë që nuk mund të bëhen publike të dhëna sepse janë të dhëna sensitive të kompanive. Në fakt nuk janë të dhëna sensitive të kompanive. Pse duhet ta mbash sekret listën e bizneseve dhe firmave që kanë detyrime të prapambetura ndaj shtetit? Këtë duhet ta dimë, sepse duke ditur listën se kush janë firmat dhe bizneset, kemi edhe ne qëndrimin tonë, pastaj edhe opinioni gjykon nëse janë nga ato biznese që janë të gjitha të lidhura me qeverinë."-tha Baçi.
Paqja fiskale nē asnjē vēnd tē botēs nuk ekziston.Falimentime biznesesh ka nē 5 kontinente, ndaj përmbaruesit tē zgjohen, dhe t'ju jepet mundsia tē tjerēve tē hapin dyqane me gjēra qē kan nevoj qytetarēt dhe jo pastrim parash.
Aman, se na shkrive o Baci! Po pse aq kollaj është, sikur do ta bëjë fshehurazi ai këtë punë. Po administrata tatimore, nuk do ta marre vesh se kujt ju fshinë borxhet, po mediat nuk do e nxjerrin në lajme? Ju të PD flisni si kodra mbas bregut, ndaj su beson më njëri. Dilni ore nga guacka e dëshirës për pushtet dhe protestoni për kauzën e popullit jo për familjen e Berishës dhe jo për karrigen tuaj!!!. Apo as këtë nuk e dini se cfarë kauze ngjit në popull. Epo po ishte kështu, prapa diellit vafshi!