Marrëveshja PS-PD në vitin 2008, analisti rrëfen prapaskenat e ndryshimit të Kushtetutës -

30 Tetor 2025, 09:00Politika TEMA
Marrëveshja PS-PD në vitin 2008, analisti rrëfen prapaskenat e

Në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e gazetares Alba Alishani, analisti Lorenc Vangjeli, duke folur jo thjesht si dëshmitar, por si njohës i historisë përmes dëshmive të drejtpërdrejta, ndau një rrëfim të detajuar mbi prapaskenat e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. 

Vangjeli ndau detaje të panjohura nga korridoret e pushtetit, ku sipas tij, mes rregullit dhe hiles, “fitoi hilja”. 

Vangjeli kujtoi atmosferën politike të asaj kohe, duke theksuar seriozitetin e negociatave mes dy partive kryesore. 

“Në vitin e largët 2008 ka pasur absolutisht negociatat më serioze dhe më politike ndërmjet Partisë Socialiste në opozitë dhe Partisë Demokratike në mazhorancë. Ndryshe nga tradita jonë prej sherxhinjsh, ndryshe nga ajo që pritej, ishte një iniciativë revolucionare, më shumë e amacupuar e opozitës shqiptare, e cila jepte dakordësinë në mënyrë të menjëhershme dhe direkte për pesë reforma themelore në Shqipëri.” 

Ai përshkroi përpjekjet për të ndërtuar konsensus institucional, pavarësisht armiqësive politike. 

“Pavarësisht armiqësive të tyre, pati tentativa që palët të bëheshin bashkë për të ndërtuar shtet. Reforma në Drejtësi, Reforma në Arsim, Reforma Territoriale, Reforma në Shëndetësi, etj. Gjerat shkuan shumë larg, sidomos tek reforma në drejtësi. Ka pasur drafte të plota të përgatitura nga Partia Socialiste, punë jashtëzakonisht serioze. U përgjigjën dhe me një draft demokratët.” 

Duke analizuar pozicionin e liderëve në atë periudhë, Vangjeli solli në vëmendje entuziazmin e Berishës dhe rolin e negociatorëve. 

“Berisha në atë kohë ishte në ditët më të mira të tij, nuk kishte shpërthyer ende Gërdeci, ishte shumë entuziast. Në atë kohë negocionin dy ish-ministra drejtësie, të dy për arsye krejt të ndryshme, jashtëzakonisht të talentuar në këtë fushë: Arben Imami dhe Fatmir Xhafa.” 

Ai zbuloi se negociatat kishin një prapaskenë të fshehtë, e cila ndryshoi rrjedhën e procesit. 

“Por në momentin që u duk se gjithçka do të konkludonte, as z. Imami dhe as z. Xhafa nuk e dinin negociatat e nëndheshme, ku mes rregullit dhe hiles, fitoi hilja. Në momentin e fundit fitoi hilja. Dhe unë kujtoj në atë kohë që Xhafa, kur pa që ishte nisur për të diskutuar tjetër gjë, por shkoi puna që po tentohej të ndryshohej Kushtetuta, kur u kuptua që u fitua ‘leja’, thjesht përplasi derën dhe ndodhi ajo që ndodhi.” 

Në përmbyllje, Vangjeli vlerësoi se ndryshimet kushtetuese të asaj kohe e denatyruan aktin themeltar të shtetit. “Kushtetuta u denatyrua dhe mori një nga goditjet më të forta. Synimi ishte krijimi i një sistemi mbipartizan me idenë që kush fiton i merr të gjitha.” 

3 Komente

  1. I
    Islam Alla

    O Vangjel,nuk mund te thuash qe nuk pati ndikim Gerdeci se marreveshja u miratua ne 21 Prill 2008 ndersa shperthimi i Gerdecit ndodhi me 15 Mars

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bureto

      Sali Berisha, emisari i R.Alisë, diktatorit të fundit komunist, do mbahet mend për shumë fatkeqësi që i ka sjellë shqiptarëve, ama Edi Rama do mbahet mend për keq veçanërisht vetëm për një, akordin që bëri me "minuesin e demokracisë", (përcaktim ky për shpalljen "non grata"), akord që bëri ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, të cilat deformuan pothuajse totalisht arkitekturën e shtetit demokratik, që e garantonte Kushtetuta e vitit 1998, deri në atë kohë në fuqi dhe që ishte miratuar me Referendum Popullor. Se cilat ishin dëmet më të madha që sollën ato ndryshime tashmë janë thënë e stërthënë, por ai më i rëndësishmi për keq sigurisht, ishte konsolidimi i idesë okulte të komunistëve në ikje, të pas ndryshimeve shoqërore të imponuara, të ideuara këto qysh në vjeshtën e 1990 (Katovica), ide të cilat morrën rrugë me marrëveshjen e Triestes mars 1991, nga tre emisarët e Ramizit, Berisha-Nano-Godo, të cilët u morrën vesh që rotacioni i pushtetit të bëhej dhe të mbetej vetëm brenda PS dhe PD, pra "dy gjysmave të bajgës PPSH, të ndarë në mes nga rrota e qerres së historisë"-siç kështu e ka artikuluar Dritëro Agolli, 'patriarku' i socialistëve. Sot mbas 35 vjetëve i shohim ato dy marrëveshje politike, pra e marsit 1991 (Nano-Berisha-Godo, në tavolinë dhe pa një akt formal) dhe të prillit 2008 (Rama-Berisha të konsakruara në Kushtetutën në fuqi), marrëveshje të cilat janë vënë tashmë plotësisht në jetë dhe kështu do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Ndaj pavarësisht dëshirave apo përpjekjeve, për lindjen e ndonjë alternative të tretë i është mbyllur dera, përveç se aty-këtu aspirantëve të saj, sa për fasadë pluraliste u jepet 'mundësia' me ca thërrime, por kurrë si mundësi dhe alternativë qeverisëse. ('Hilja' që në shkrimin më sipër, e përmendi L. Vangjeli).

      Përgjigjjuni
      1. N
        Noci

        Problemi kryesor i Berishes ne 2008 ka qene zgjedhja e presidentit,ku atij i duheshin votat qe nuk i kishte dhe pas tre botimesh vendi kalonte ne zgjedhje te parakoheshme dhe mendoni zgjedhje te parakoheshme mbas Gerdecit,ai nuk kishte siguri me se mund te fitonte,se ne 2005 per te krijuar mazhorancën ju desh partia Agrare e Xhuvelit,se nuk i kishte numrat.Keshtu zgjedhja e presidentit kaloi me 50 1 perqind.Ai i plotësoi kushtin Rames per ligjin zgjedhor dhe ja futi pas nje viti ku nuk pranoi te hape kutie e Fierit ,bile dogji te gjitha materjalet zgjedhore,pikerisht ky qe bertete na vodhen zgjedhjet,per te mos i dhene mundesi askujt te rishikohen asnje materjal.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje