Marrëveshje me Berishën? Deputeti socialist: S’ka negociata, duan të rehabilitojnë një kartë të djegur që i ka marrë peng

14 Mars 2024, 09:06Politika TEMA
Marrëveshje me Berishën? Deputeti socialist: S’ka negociata,

Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Toni Gogu ka mohuar negociatat mes 2 partive kryesore politike në vend. Në një dalje mediatike ai tha se palët jo vetëm që nuk janë në negocaiata por janë në dy misione të kitheta.

"Ne nuk po negociojmë. Ne socialistet, jemi atje ku kemi qenë, të ulur në Kuvend për të përplasur alternativat. Misioni i tyre është që të padëshirueshmin ta bëjnë të pëlqyeshëm. Ka një përpjekje të palodhur te rrugica e dëshpërimit. Misioni është që të pandehurin për korrupsion ta bëjnë të persekutuar politik.

Të mundurin politik ta bëjnë heroin e fitoreve imagjinare. Ky është misioni i tyre. Misioni i socialistëve është e mira e shqiptarëve: gjallërimin e ekonomisë, fuqizimin e sistemit të drejtësisë dhe forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. Po ti shikoni, janë misione të kithëta.

Misioni i tyre është të rehabilitojnë një kartë të djegur të politikës shqiptare që i ka marrë peng. Ne ulemi në ulëset e Kuvendit se kur jemi betuar atje, jemi betuar që do i shërbejmë kushtetutës dhe vendit. Jemi të lumtur që kolegët opozitarë kanë kthyer në ulëset e tyre dhe shpresojmë të nisim debatin parlamentar të munguar,- tha Gogu.

Duke iu referuar kërkesës së demokratëve për ngritjen e komisioneve hetimore për 8 çeshtje të cilat ata i konsiderojnë të rëndësishme, Gogu duke sjellë në vëmendje çështjen McGonigal dha arsyet përse kjo kërkesë nuk mund të pranohet.

"Po marrim shembull çështjen  McGonigal. Një vepër penale e bërë në një juridiksion të huaj, nga një ish funksionar i huaj, e hetuar nga një prokurori e huaj, e gjykuar nga një gjykatë e huaj. Parlamenti ynë cilin ligj do përmirësojë, si vepron FBI me zyrtarët e vet?!

Cilin kontroll parlamentar do përmirësojë, se si FBI duhet të ushtrojë më mirë veprimtarinë e vet?! Apo duam të marrim kompetencat e organeve ligjzbatuese shqiptare, që nëse në atë dosje paska një veprimtari të jashtëligjshme ta hetojmë ne se nuk e heton dot SPAK e Dumani me kolegët e vet nuk po bëjnë punë e mirë dhe ta ndihmojmë Bardhi dhe shokët e tij?”- tha socialisti.

Lini një Përgjigje