Mbetjet toksike, PD kërkon sqarime nga Rama: Duam interpelancë urgjente

30 Gusht 2024, 13:44Politika TEMA
Mbetjet toksike, PD kërkon sqarime nga Rama: Duam interpelancë

Skandali i mbetjeve toksike të kompanisë KURUM që po tregtoheshin nga kompania tjetër “Sokolaj” drejt Azisë (Singapor dhe Tajlandë), ka përfshirë prej ditësh në polemika dhe akuza edhe politikën në vend.


Grupi Parlamentar i PD-së, përmes kryetarit Gazment Bardhit, lajmëroi sot se ka kërkuar një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, sa i takon fakteve të bëra publike për transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës.

Më herët Bardhi kishte akuzuar qeverinë dhe segmentet e saj si të përfshira në skandal, duke lejuar pa kontroll në Portin e Durrësit imbarkimin e 102 kontejnerëve me mbi 800 tonë mbetje nga shkrirja e furrës së çelikut, në anijet e “Maersk”.

Gjithashtu nga të dhënat e deri më tanishme, sipas kërkesës së PD, rezulton dyshimi i arsyeshëm se është cenuar interesi publik, për shkak se:

-Kompania “Kurum International” sh.a. ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon, ndërkohë që kompania “Sokolaj” sh.p.k. ka shkelur ligjin lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme.


-Autoritetet përgjegjëse kanë shkelur ligjin duke mosvepruar ndaj këtyre shoqërive private për përpunimin apo transportin e mbetjeve toksike, si dhe duke lejuar eksportin e tyre jashtë territorit në shkelje të ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare.


-Nga ana tjetër, Qeveria dhe autoritetet përgjegjëse heshtin prej 3 javësh dhe nuk veprojnë duke mos bërë asnjë transparencë mbi këtë çështje, ndërkohë që skandali ka marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.


“Duhet menjëherë dhe pa asnjë vonesë që Qeveria Shqiptare të informojë Kuvendin e Shqipërisë, dhe përmes tij edhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë trajtuar, cfarë veprimesh, kontrollesh apo aktesh mbikëqyrëse kanë ndërmarrë institucionet, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, kush i ka lejuar të futen dhe të dalin prej territorit të Republikës së Shqipërisë, nga dhe përmes Portit të Durrësit”, – mbyll kërkesën Bardhi.

 

2 Komente

  1. J
    Jim

    Shume po flitet dhe po na marrin mend madiat per kete histori. Po pyetja, pse eshte kjo lende toksike kush do na e thote? Kur eshte gas ne proces e dime, po si pluhura te mbledhur the depozituar pse jane toksike?

    Përgjigjjuni
    1. K
      Komision Hetimor ne Kuvend per Kurumin

      PS duhet te ngreje Komision Hetimor per tere aktivitetet e Kurimit ne Shqiperi. Keshtu do kene pune te madhe Saliu a Gazi me hetimet nga ky Komision. Ndryshe, nese PS nuk e miraton kete komision, tregon se edhe ajo eshte e zhytur ne m.. bashke me PD. Kaq e thjeshte eshte.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje