Motra Giorgia dhe shoqja Elly: Historia e marrëdhënies së komplikuar të së majtës italiane me PS

29 Prill 2024, 19:00Politika TEMA

Motra Giorgia dhe shoqja Elly: Historia e marrëdhënies së

Nga Ylli Pata

Edi Rama, sot gjatë fjalës që mbajti në takimin e gjatë për turizmin, kur foli për homologen e tij italiane, e quajti “Motra”.

Natyrisht pa u futur direkt në temë, por u kuptua për ku e ka, ku tha se cila ishte perceptimi i italianëve për Shqipërinë, duke nisur nga “Motra”.

Në fakt, nuk është aq gjë e re, pasi në intevistat e dhëna shumë shpesh në mediat italiane, pas verës së famshme të vitit të kaluar, Edi Rama ka deklaruar më shumë se një herë se “e ndjej veten një vëlla i Italisë”.

Literalisht në gjuhën italiane: Fratelli d’Italia, nuk është aspak më shumë se emri i partisë së mazhorancës qeverisëse në Itali, që kryetare ka Giorgia Melonin.

Pra, në vija të trasha, ka qenë vetë Rama që u ka bërë kap karshillëk “shokëve” të së majtës italiane, që realisht nuk e kanë dashur shumë, e si e tha edhe vetë Giorgia Meloni, kanë kërkuar që ta largojnë nga Partia Socialiste Europiane.

Por, nëse i futemi historisë, e majta italiane, nuk se ka pasur gjithmonë marrëdhëniet grurë me Partinë Socialiste të Shqipërisë.

E kjo ka një shkak, që gjasat janë që të jetë më shumë pretekst. Si Fatos Nano, ashtu edhe Edi Rama, si liderë të PS-së, marrëdhënie më të ngushta kanë pasur me liderë të së djathtës italiane, si Silvio Berlusconi dikur e Giorgia Meloni sot.

Në vitin 1991, sapo Fatos Nano bëhet kryetar i Partisë Socialiste, dy vizitat e para jashtë vendit i kryen në Milano dhe në Jeruzalem. Në Milano takoi kryetarin e Partisë Socialiste Italiane, Bettino Graxi dhe në Jeruzalem, kreun e Partisë Laburiste Izraelite, Shimon Perez.

Këto dy vizita, ishin një bela e vërtetë për Fatos Nanon. Partia Komuniste Italiane, që sapo kishte ndryshuar emrin në Partia Demokratike e së Majtës, e drejtuar nga Achille Occhetto, u xhindos keq. Nga ana tjetër, ambasadori i Palestinës në Tiranë, Ali Kurdi, nuk la gjë pa i thënë Nanos, se kishte takuar “djallin”. Shefi i Aliut, e thërriste Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë “Vëlla”, e devijimi i tij “sionist” e kishte çmendur totalisht.

Si rrjedhim, si Partia Demokratike e së Majtës Italiane, si palestinezët e braktisën PS-në si partner dhe shkuan drejt PD-së së Sali Berishës.

Fatos Nano, megjithatë vijoi rrugën e tij, duke e nderuar kreun e Partisë Socialiste Italiane me numrin 3 të teserës së Partisë Socialiste. Numrin 1 e kishte shkrimtari i madh Dritëro Agolli dhe numrin 2 Fatos Nano.

Kreu i PS-së, në zgjedhjet e vitit 1992 pësoi humbjen e madhe politike, kurse PS-ja e Craxit fitoi shumë, sa arriti të marrë postin e kryeministrit të Italisë.

Pak ditë pas zgjedhjeve, Antonio Di Pietro nis hetimet ndaj klasës së vjetër politike italiane dhe Craxi nuk merr postin e kryeministrit, duke ja lënë zëvendëskryetarit të PSI akademikut të njohur Giuliano Amato. Qeveria e të cilit nuk zgjat shumë, e në krye vjen një bankier si Carlo Azelio Ciampi, i cili në kohën e luftës së Dytë Botërore kishte jetuar në Shqipëri. Marrëdhëniet ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, vijojnë shumë të afërta me qeveritë e koalicionit demokrato-socialist. Madje është mjaft kumptimplotë një foto e një prej nënkryetarëve të Parlamentit Italian, drejtues i Partë i Demokracisë Kristiane, që i strëngonte dorën Ramiz Alisë, si shenjë solidariteti. Në atë kohë, Tiranën e vizitoi Presidenti Italian, Francesco Cossiga,(demokristian) Kryeministri, Giulio Andreoti,(demokristian), ministri i Jashtëm Gianni de Michelis(socialist), por jo Kryetarja e Parlamentit, Nilde Jotti(komuniste dhe e dashura e kryetarit të PKI-së, Palmirio Togliatti).

Asnjë drejtues i lartë i PDS-së italiane nuk u takua me krerët e socialistëve shqiptarë, megjithëse kreu i saj Acchille Occhetto erdhi disa herë në Tiranë si parlamentar. Madje pati edhe kontakte të rëndësishme me Partinë Demokratike të Sali Berishës.

Kur Fatos Nano u burgos, ndërkohë që PASOK i Andreas Papandreut kërkoi hapur dhe disa herë lirimin e tij, por edhe parti të tjera të majta në Europë, e vetmja që nuk foli ishte Partia Demokratike e së Majtës në Itali.

Piero Fassino, zv.ministër i Jashtëm i qeverisë Prodi, dhe numri dy i PDS erdhi në Tiranë pas krizës së tmerrshme të zgjedhjeve së 1996-s dhe mbajti një qëndrim pro Sali Berishës. Fassino kishte marrëdhënie të afërta me Ilir Metën. (Dy ditët e fundit, në mediat italiane ai që ka qenë në poste shumë të larta akuzohet se ka marrë një parfum në një free shop aeroporti pa e paguar)

Gjithçka ndryshon me Romano Prodin, i cili nuk ishte i majtë, por një demokristian me rrënjë, i cili krijon marrëdhënie të afërta me qeverinë e Bashkim Finos dhe më pas me atë të Fatos Nanos. Kur për herë të parë vjen në Tiranë, Massimo D’Alema, kryetari i PDS, i cili mbajti një fjalim mjaft të ngrohtë në kongresin e Partisë Socialiste Shqiptare.

Por kjo klimë e ngrohtë nuk zgjati shumë. Pikërisht pak vite më pas, kur në qeverinë italiane nuk ishte e majta por Silvio Berluskoni, kreu i qendrës së djathtë, Fatos Nano krijoi një marrëdhënie shumë të afërt me të.

E majta italiane nuk i fal sekondin. Në gazetën e partisë së saj L’Unita, publikohet një shkrim, ku e akuzon Fatos Nanon si të lidhur me klane të mafias. Paralelisht me L’Unita, shkrimi publikohet edhe në revistën e majtë L’Espresso, pjesë e grupit të gazetës La Repubblica, e cila e ripublikon në faqet e saj.

Fatos Nano, e hedh në gjyq gazetën simbol të së majtës italiane,  e cila është themeluar nga legjendari Antionio Gramshi(arbëresh me origjinë), rast që kthehet në teatër.

Avokat i Fatos Nanos në Romë është Engjëll Agaçi. i cili fiton gjyqin dhe caktohet një shumë marramendëse për të dëmshpërblyer kryeministrin shqiptar për shpifjen. E majta italiane ndërhyn për të zgjidhur çështjen me mirëkuptim në kanale diplomatike. Nuk dihet çfarë ndodhi, por gjasat janë se u zgjidh me një marrëveshje.

Megjithatë, e majta italiane nuk është vetëm Partia Demokratike, por edhe pjesë të tjera të saj, kryesisht e majta ekstreme.

E cila gjatë luftës së Kosovës, hapur u rreshtua me Sllobodan Milosheviçin. Figurat më të rëndësishme të saj, kryetari i partisë Cossutta, që tani nuk jeton më, dhe gazetari i njohur Michele Santoro, janë të njohur për qëndrimet e tyre pro Beogradit.

Ndërkaq, ajo pjesë e majtë që dikur ka qenë pjesë e Partisë Socialiste të Craxit ka ruajtur marrëdhëniet e mira me PS-në në Shqipërinë. Vetëm pak kohë më parë ishte në vizitë zyrtare në Shqipëri, Stefania Craxi, vajza e Bettino Craxit që është senatore, e cila u takua me kryeparlamentaren e Shqipërisë, Lindita Nikollën. Por ajo sot nuk përfaqëson të majtën, por Forza Italia-n e qendrës së djathtë.

Kryetarja e sotme e Partisë Demokratike të Italisë Elly Schleyn, megjithatë është një mike e mirë e Shqipërisë. Ajo ka qenë bashkëpunëtore e regjizorit shqiptar Roland Sejko, në filmin e suksesshëm “La Nave-Anija” që flet për eksodin e tmerrshëm të vitit 1991 nga Durrësi në Bari.

Schleyn, e cila ka lindur në Zvicër me nënë italiane e baba hebre amerikan, ka qenë europarlamentare e PDI dhe drejtoi komisionin për Shqipërinë në Strasburg. Ku ka mbajtur një qëndrim pro Shqipërisë, e ku ka miqësi me socialistët që kanë përfaqësuar Shqipërinë atje, posaçërisht me ministrin e Brendshëm aktual, Taulant Balla.

Ndërkaq, pjesa tjetërr e së majtës, Lëvizja 5 Yje, është një konglomerat me interesa të ndryshme gjeopolitike dhe nuk se ka një qëndrim bazik.

Megjithatë, gjatë pandemisë, ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi di Maio, që ishte kryetar i lëvizjes, furnizoi Shqipërinë me vaksina anticovid, edhe pse BE e kishte të ndaluar.

Këtë marrëdhënie, Edi Rama, në disa takime publike në Itali e ka cilësuar si një gjest i madh miqësie dhe solidariteti ndaj Shqipërisë. Di Maio sot nuk është më pjesë e së majtës. Megjithatë, fakt është se Ely Schleyn edhe pse e njeh më mirë se shumë veta Shqipërinë në partinë dhe të majtën italiane, nuk se është prononcuar direkt. Fakt është se zyrtarë të saj, kanë bërë atë që Meloni tha dje se kanë kërkuar përjashtimin e PS-së së Shqipërisë nga Partia Socialiste Europiane.

TemA

 

3 Komente

  1. M
    M.Lèpusha

    Duhet tè dihet fort mirè qè e majta italiane ( veçanèrisht komunistèt) nuk ishte si ajo shqipètare. Ata ishin shumè tè lidhur me USSR dhe pèr rrjedhojè mbetèn antishqipètarè. Natyrisht politika e Ramès nuk ndjek parimet por instiktin e supozuar mbi interesa por qè lidhet me sigurimin e njè afishimi madhèshtie personale, qè nè shumè raste ndeshet me interesa tè kundèrta me ato tonat. Italianèt gjithsesi janè fqinjèt tanè mè tè mirè dhe nga e gjitha kjo ata na kanè sjellur njè shèmbull tè keq tè interpretimit tè demokracisè dhe ndèrtimit tè shtetit demokratik. Ata janè njè popull i madh dhe mènyra e tyre qeverisèse edhe pèrse larg standarteve qèndrojnè, nuk rrèzohen por qèndrojnè nè kèmbè si vetè Kulla e Pizès.....Shqipètarèt janè njè popull i vogèl dhe imitimi i politikave italiane ka rezultuar shkatèrues nè tè gjitha kèto vite. Qeveria shqipètare duhet tè jetè korrekt e tè mbrojè nè çdo çast interesat kombètare qoftè me Melonin apo Elly.in

    Përgjigjjuni
    1. L
      Lexues

      Shqiptaret, dhe shume vende te tjera, mund te mesojne shume nga italianet per sa i perket pavaresise se gjyqesorit, luftes kunder krimit te organizuar dhe mbrojtjes se te drejtave te qytetareve. Fatkeqesisht, maskarenjte qe na kane drejtuar dhe na drejtojne kane pasur si idhuj hajdute ne çizme si Craxi dhe Berlusconi ose mafioze si Andreotti. Eshte akuze e pamerituar t‘i quash komunistet italiane antishqiptare. Natyrisht, e majta evropiane, per arsyeje objektive historike, ka qene shume dyshuese ndaj nderhyrjeve amerikane ne kontinent. Por kjo nuk do te thote se ushqejne urrejtje per shqiptaret per shkak te etnise ose fese. Kete lloj urrejtjeje e ka nxitur historikisht e djathta ekstreme. Gjate luftes se Kosoves, Umberto Bossi i quante serbet populli vella i Beogradit.

      Përgjigjjuni
    2. R
      Rroftë SPAK-u se na griu Rilindja

      Si Fatos Nano edhe Edi Rama nuk kanë qenë kurrë të majtë dhe nuk kanë asnjë lidhje me të majtën

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje