Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut.
Në një reagim në rrjetet sociale Spiropali vlerëson figurën e Atit të Shenjtë si një dishepull të përkushtuar të Zotit dhe një zë të fuqishëm në mbrojtje të më të varfërve dhe të margjinalizuarve.
Spiropali thekson lidhjen e veçantë që Papa kishte me Shqipërinë dhe shqiptarët, duke përmendur edhe vizitën historike të tij në vendin tonë më 21 shtator 2014.
“Mëngjesin e së Hënës së Engjëllit, përfundoi rrugëtimi tokësor i Papa Françeskut.
Jeta e këtij dishepulli të Jezu Krishtit, iu kushtua shërbimit të Zotit, të Kishës, besimtarëve, njerëzve, bashkëjetesës dhe drejtësisë shoqërore.
Ati i Shenjtë ishte mbrojtës i fuqishëm i më të varfërve, më të dobtëve dhe më të margjinalizuarve, të cilëve u kushtoi gjithë jetën dhe dashurinë e Tij.
Shqipëria dhe shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e madhe të Papa Françeskut, të cilën e shfaqi edhe gjatë vizitës në vendin tonë, në 21 shtator 2014, vizita e Tij e parë në një vend europian nga fillimi i Papnisë.
Takimi me Atin e Shenjtë në tetor të vitit 2024 do të mbetet ndër kujtimet më të bukura të jetës sime.
U Prehtë në Paqen e Zotit!”, shkruan Spiropali.
Lini një Përgjigje