Nga Ruel Domi
Për herë të parë që pas vitit 2008, në Shqipëri po flitet për ndryshime Kushtetuese. Këtë radhë për të akaparuar një institucion të ri në politikën shqiptare pas komunizmit, atë të Senatit, që de jure do të ndajë pushtet me Dhomën e Deputetëve, në një kohë kur de facto situata është krejt tjetër. Trupi legjislativ do të mbetet me 140 të zgjedhur, me Dhomën e Deputetëve që do të përbëhet nga 100 deputetë, e Senatin me 40 senatorë, ku me shumë gjasa do të “parkohen” rrangalla politike si Sali Berisha, që sigurisht nuk kanë se ç’i japin më politikës shqiptare.
Për hir të së vërtetës, këto ndryshime Kushtetuese e kthejnë Shqipërinë në periudhën e Ahmet Zogut President, kur legjislativi u nda në Dhomën e Ulët me 57 deputetë e Senatin me 14 deputetë, pak para se Ahmet Zogu ta kthente Shqipërinë në monarki e ta shpallte veten Mbret të Shqiptarëve. Po ashtu, këto ndryshime Kushtetuese, që aktualisht mbeten në kuadrin e thashethemnajës së përhapur nga dy partitë e mëdha parlamentare, kanë mundësinë të ndryshojnë në mënyrë afatgjatë fushëpamjen e politikës shqiptare, që dëshpërimisht ka nevojë për demokraci, por që me këto ndryshime të propozuara do të autoritarizohet, kryetarizohet dhe bipartizohet. Këto ndryshime Kushtetuese janë në fakt gur në duart e klasës së vjetër politike; gur që do të hidhet për të vrarë dy zogj.
“Zogu” i parë (jo Bulevardi) është ai i multipartitizmit e pluralizmit politik. Sistemi aktual d’Hondt i proporcionalit rajonal e fragmentarizon votën e partive të vogla duke e bërë të vështirë përfaqësimin e tyre. Përpos barrierave strukturore të sistemit politik, tre parti të reja e të vogla, respektivisht Shqipëria Bëhet, Mundësia e Lëvizja Bashkë, së bashku morën 4 deputetë. Rama e Berisha, nga ana tjetër, kërkojnë mbrojtjen e status quo-së politike, e cila de facto e lë sistemin politik shqiptar të ndarë midis dy partive, pavarësisht karakterit de jure multipartiak të tij.
Në vitin 2008, Rama e Berisha, të shqetësuar nga fuqizimi i një poli të tretë si LSI e Metës, eliminuan sistemin mazhoritar të përdorur për herë të fundit në Parlamentaret e 2005-s për ta zëvendësuar atë me sistemin proporcional spanjoll me lista të kyçura nga kryetarët. Këto ndryshime Kushtetuese në fakt e fuqizuan LSI-në, duke e bërë “kingmaker” në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe ato të 23 qershorit 2013, në të cilat Kryeministri u zgjodh me votat e LSI dhe Ilir Metës. Thënë kjo, LSI u venit me kalimin e kohës, e veçanërisht pas bërjes President të Ilir Metës, duke e bipolarizuar sistemin politik shqiptar sipas dizenjimit të sistemit të 2008-s e në përputhje me orekset politike të Ramës e Berishës. Në të njëjtën kohë, kryetarët Rama, Berisha e Basha u fuqizuan tepër nga sistemi, duke ditur që morën autoritet thuajse absolut mbi përpilimin e listave të kandidatëve për deputetë.
Ndryshimet Kushtetuese të këtij viti, gjithmonë nëse ndodhin, do ta kalcifikonin edhe më shumë kryetarokracinë në partitë e mëdha shqiptare, si dhe do të godisnin partitë e vogla. Një dhomë me 100 deputetë e rrit pragun e nevojshëm të votave për përfaqësim në parlament për partitë e vogla, që me gjasa nuk do të përfaqësoheshin në një parlament me 100 deputetë.
Rama e Berisha e dinë këtë, dhe prandaj po kërkojnë ndryshime Kushtetuese për ta pamundësuar sistemikisht përfaqësimin e partive të reja. Sistemi ynë pluralist e multipartiak në letër, por bipartiak në praktikë, do të bëhej prej vërteti bipartiak, po kësaj radhe me dy dhoma, si dhe do t’i kthente kryetarët nga despote në mbretër të partive të tyre. Pra, guri i ndryshimeve Kushtetuese vret “zogun” e pluralizmit politik dhe sistemit multipartiak që republikat parlamentare si Shqipëria e kanë për zakon politik ta kenë.
“Zogu” i dytë është SPAK-u dhe “Drejtësia e Re”. Që nga votimi në parlament me 140 vota i reformës në drejtësi në korrikun e nxehtë të vitit 2016, e cila u pasua nga vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve dhe krijimi i SPAK në dhjetor 2019, klasa politike është goditur drejtpërdrejt nga Drejtësia e Re, me kryetarë bashkish, ministra, zëvendësministra, drejtorë, deputetë që kanë përfunduar prapa hekurave me akuza nga SPAK. SPAK ka goditur korrupsionin endemik në ekosistemin politik shqiptar, dhe ky fakt kërcënon ardhmërinë politike të Ramës, Berishës e listës së gjatë të puthadorëve politikë të tyre. Kësisoj, një Senat me 30 apo 40 deputetë, ku me gjasa do të “parkohen” për një mandat 7-vjeçar e me garanci nga kryetari të gjithë mazhordomët politikë të Ramës e Berishës, është zgjidhja e klasës së vjetër politike për t’i dhënë fuqi vetoje ndaj vijimësisë së SPAK dhe institucioneve të tjera të Drejtësisë së Re, një Senati të përbërë nga mazhordomët partiakë të Ramës dhe Berishës.
Përpos interesit të përbashkët Berishisto–Ramist për t’i vënë sa më shumë stërkëmbësha SPAK-ut, interesat e pragmatizmit politik janë po ashtu të përbashkëta, ndryshe nga teatri që shqiptarëve u serviret në seancat plenare çdo të enjte. Sali Berisha e di se “pilafi” i një PD-je të drejtuar prej tij nuk “mban më ujë”, e kësisoj faktorët e tjerë opozitarë brenda të djathtës si Ervin Salianji, Agron Shehaj apo Adriatik Lapaj janë rrezik konkret për të, Flamur Nokën dhe oborrtarë të tjerë të kastës udhëheqëse të PD-së aktuale. Sistemi bikameral alla shqiptar i jep mundësi Sali Berishës të vrasë partitë e reja në frontin opozitar, si dhe çelësin e nevojshëm për t’i vënë kyçin udhëheqjes e kryesisë, rrjedhimisht duke vijuar të mbajë monopolin e opozitës dhe opozitarizmit në Shqipëri. Ky skenar i leverdis edhe Ramës, i cili pallon me vota PD-në zgjedhje pas zgjedhjesh, dhe që pas 14 vitesh si Kryeministër, do t’i jepet mundësia të kandidojë për President në 2027; një post i cili në Kushtetutën e re do të ketë rol ekzekutiv dhe jo më simbolik. Me një kandidat për President nga PD-ja e Berishës në 2027, në mos edhe vetë Sali Berisha, Edi Rama fiton me plebishit, siç ka fituar në këto 12 vitet e fundit.
Logjika na thotë se me Kushtetutë të re e sistem të ri politik bikameral, goditet drejtësia, Rama bëhet President, ndërkaq që PD bëhet SHPK-ja që merr tenderin e bërjes së opozitës për aq vite sa Berisha të ketë jetë e sa Flamur Noka të ketë forcë. Shoqëria shqiptare nga ana vetë merr “noc rrokun”.
Prandaj duhet të jemi të shqetësuar për këto ndryshime. Shumë të shqetësuar…
Interesant ! Pse nuk ka asnje koment per njer problem kaq jetik per Shqiperine ?! Duhet te ishte lume , vargu i komenteve qe do kerkonin me force qe t`u ndalej dora qe te dy perbindceshave , si Rames ashtu edhe Berishes . Kjo lufte duhet bere tani dhe jo kur te gjendemi para faktit te kryer . Une jam kategorikisht kunder nje ndryshimi te tille kushtetues . Ne se do te kete presion te madh nga qytetaret , pa dallime partiake , te pa ngoputirt mme pushtet e me vjedhje nuk do te guxonin te vinin dore mbi kushtetuten . Fatet e vendit vendosen tani , qe ata po na tatojne pulsin dhe jo me vone kur te mbetemi te pa fuqishem .
Zoteri, shkrues i ketij shkrimi. Nuk te njoh, por me vjen keq qe si gjithmone, ne vetem kostatojme. Zoteri, gjykata kushtetuse aty eshte. Nqs e votojne kete neveri pd-ps, drejtohuni ne gjykaten kushtetuse me 101 pretendime te kunderta ku nder kryeseret: - Vonese e paduhur dhe e demshme e cdo ligji qe votohet ne parlament pasi cdo ligj do te duhet te kaloje ne senat -Mos perputhje demografike dhe e sistemit demokratik - Ndryshimet e kushtetutes te behen vetem me referendum te cilat gjithsesi kalojne nga gjykata kushtetuse - Mos perputhje e perfaqesimit popullor mbi perqindjet qe duhet te arrije nje force politike pasi mbi 3% cilesohet si joperfaqesiese nga gjykata e te drejtave te njeriut. Etj plot. Ndaj, ne vend qe te verem konstatoni, filloni qe tani te informoni popullin dhe cdo institucion
Po te jete i ndershem Rama,te bei kete te bei lista komplet te hapura,dhe numri i Deputeteve apo kongresmen quaj si te duash apo senatore Edi reduktoi nga 140 ne 80 dhe jo te ndare ne senator 20 e deputet 60 po vtem nje dhome me 80 perfaqsuse direkte nga populli kjo eshte demokraci ose beie si ne Amerike me dy dhoma senat dhe kongresmen po qe te dy dhomat te zgjidhen dirkte me voten popullore ndryshe prishet me keqe se sa eshte tani ai kod i nderuar.
Nuk e di në se e mendojnë apo jo partitë politike por presidenti duhet të zgjidhet nga populli të paktën dy hallka të shetit presidenti dhe gjykata Kushtetuese tju shpëtojnë kthetrave të politikës ose të jenë të imunizuara në maximum dhe të jenë jashtë ndikimit të partive politike . Pastaj në se e duan sistemin politik me dy dhoma më duket se edhe kjo duhet ti nënështrohet referendumit popullor .Por më duket se këtu zë vënd një shprehje popullore kur thotë:" tre dhën me trqind çoban""Jemi një vënd i vogël për të pretenduar sistem politik të njëllojtë me shtete Evropiane por që kanë 100 vjet demokraci pa përmendur kohën e perandorive dhe mbretërive në mbarë globin Sidoqoftë popullit i ka ardhë në majë të gjuhës shpirti me këtë klasë apo gëlasë politike që ka 34 vjet që po eksperimentojnë në kurrisë të tij . Atëherë le ta thotë edhe një herë fjalën e tij për këto ndryshime kushtetuese që po diskutohet në parim ,.