
Kryesia e PD-së, me dominancë mbështetës të Lulzim Bashës, pas mbledhjes me debate serviri në publik një vendim me tre pika, që ndryshonte nga draft rezoluta me gjuhë të drunjtë e paraqitur po nga Enkelejd Alibeaj, ditën e hënë para grupit parlamentar.
Ndryshimi ishte mos përfshirja si kusht në negociata e Sali Berishës. Të paktën literalisht me emër nuk e cituan, ndryshe nga përmbajtja e draft rezolutës së fillim javës
“Grupi parlamentar i bën thirrje anëtarëve të pezulluar të grupit të PD që të ofrojnë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e zotit Berisha, që duhet të distancohet nga vendimmarrja në PD...”, citohej në draft rezolutën e paraqitur para një grupi të përgjysmuar deputetësh në numër.
Në mbledhjen e së mërkurës, emri i tij nuk u përfshi nominalisht.
A është kjo thjesht një taktikë nga pala zyrtare për të tërhequr palën tjetër në negociata dhe fituar kohë? Kjo mbetet për tu parë.
Enkelejd Alibeaj e shmangu si emër Berishën edhe gjatë një deklarimi për mediat të mërkurën vonë ku nënvizoi domosdoshmërinë e bashkimit mes demokratësh.
Në mbledhjen e kryesisë u vendos që të ngrihet një grup pune me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve, duke ftuar që pjesë e këtij grupi t’i bashkohen në numër të barabartë edhe përfaqësues të palës tjetër, pra të Komisionit të Rithemelimit, pa përmendur emra paraprake.
Për herë të parë pala tjetër (ajo e Foltores) nuk u identifikua si pjesë e pezulluar nga strukturat.
Por në të njëjtën kohë pala zyrtare la një shteg përjashtues kur tha se gjatë këtij procesi negocimi “secili anëtar i partisë duhet të reflektonte dhe të rishikonte pozicionin e deritanishëm përçarës mes demokratëve”, një referencë kjo që për ta ka direkt Sali Berishën.
Pala zyrtare vendosi gjithashtu kushtin për pezullimin e procesit në bazë nga ana e Komisionit të Rithemelimit.
PD-ja zyrtare e konsideron këtë proces të njëanshëm dhe kërkon që zgjedhjet të ndërpriten.
Në këmbim, demokratët e selisë kanë ofruar negociata duke lënë një derë gjysme të hapur për palën tjetër edhe pse nga përmbajtja e ftesës gjithçka mund të interpretohet sipas rastit dhe zhvillimeve të mëvonshme.
Ajo që u kuptua në mbledhjen e kryesisë, është se përpos kushteve që nuk do të jenë të fundit, nga pala zyrtare pati një avancim në përpjekjet e saj për të nisur një negociatë përmes një grupi pune me pjesën tjetër që deri para zgjedhjeve të 6 marsit vetë kryetari i dorëhequr Lulzim Basha i konsideronte jo vetëm pakicë, por as e njihte duke përmendur disa herë se mes tyre ishin vetëm do demokratë të gënjyer dhe të keqkuptuar.
I dërguari i tij, kryetari i komanduar ende pa vendim të Këshillit Kombëtar, Enkelejd Alibeaj, do të duhet të negocioje tashmë për modalitetet me pjesën që zgjedhjet e 6 marsit e çuan PD si sigël forcë e tretë politike./SI/
Lini një Përgjigje