Niazi Jaho: Mendim – Për nenet 181 dhe 178 të Projektit të Kodit Penal

25 Shtator 2025, 19:25Politika TEMA
Niazi Jaho: Mendim – Për nenet 181 dhe 178 të Projektit të

Pak histori

Kodi tonë penal është miratuar në vitin 1995. Deri më sot atij i janë bërë afro 30 shtesa dhe ndryshime. Rrethanat, kushtet, praktika dhe synimi për t’u integruar në BE, diktuan nevojën për të hartuar në tërësi një Projekt të ri të Kodit Penal. Për këtë u ngarkuan një grup specialistësh. Ishte një detyrë mjaft e rëndësishme, por edhe e vështirë. Edhe vetëm një projektligj të hartosh, nuk është e lehtë. Mjafton të përmendim se Kodi Penal në fuqi ka 335 nene, ndërsa projekti 950. Produkti i punës së këtij grupi, tashti është objekt diskutimi dhe debati. Vlerësimet mund të jenë nga më të ndryshmet, por njerëzore dhe korrekte do të ishte falenderimi ndaj atyre që u angazhuan për një kohë të gjatë.

Në këtë konsultim, do të dëshiroja të jepja kontributin tim modest, por mosha nuk më lejon ta bëj këtë. Prandaj tash për tash, kufizohem të shfaq mendimin vetëm për dy nene dhe për çështje që disi kanë qenë të njohura edhe më parë.

Gjithmonë në shkrimet apo intervistat e mija meqë ato kanë qenë kryesisht të natyrës ligjore, shqetësim kryesor ka qenë dhe mbetet si duhet ti trajtoj çështjet që të kuptohem nga publiku, ndërsa përsa i përket mendimit kundër edhe më parë jam shprehur se ai duhet respektuar edhe kur nuk pajtohesh me të.

1. Për të kuptuar përse jam kundër përmbajtjes së nenit 181 të Projektit, më duhet që fillimisht ta citoj atë. Në këtë nen thuhet: “Lirimi me kusht i të dënuarit me burgim të përjetshëm mund të lejohet pasi të shlyej jo më pak se 35 vjet burgim deri ditën e bërjes së kërkesës…” Ky formulim është i njëjtë me formulimin e paragrafit të tretë të nenit 65 të Kodit Penal në fuqi.

Në Kodin Penal të vitit 2008 ky afat ka qenë 25 vjet, ndërsa më vonë në vitin 2017 u bë 35. Për mendimin tim, kjo rritje në 10 vjet nuk ka ndikuar në uljen ose parandalimin e kriminalitetit. Përkundrazi, deri në një farë mase ka ndikuar negativisht, në rehabilitimin më të shpejtë të të dënuarve me burgim të përjetshëm, veç pasojave të tjera të dëmshme.

Le ta ilustrojmë këtë me disa shembuj të mundshëm: Një 50, 60 apo 70 vjeçar mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Nëse miratohet neni 181 i Projektit ata kanë të drejtë të kërkojnë lirimin me kusht kur të kenë plotësuar moshën 85, 95 dhe 105 vjeç. Kemi parasysh edhe faktin se gjykata mund ta pranojë por edhe mund ta refuzojë kërkesën e tyre. Vlen të përmendet se rehabilitimi presupozon që i dënuari edhe në aspektin e moshës të ketë shpresën e lirimit.

Afati 25 vjet që ishte më parë ishte më i përshtatshëm, pavarësisht se gjykata kur është rasti zbaton edhe dënimin me burgim të përjetshëm.

2. Jam kundër përmbajtjes së nenit 178 të Projektit ku thuhet se: “Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të rënda të kryera me dashje si dhe për të dënuarit për kryerjen e veprave penale të vrasjeve që përmbajnë motiv apo paramendim, krimeve të rënda terroriste, veprat penale në forma të veçanta të bashkëpunimit si krerë të organizimit, drejtimit dhe ekzekutimit, krimit të marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale më të mitur, kur ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur”.

Edhe në nenin 65 të Kodit në fuqi për disa krime ndalohet kërkesa për lirim me kusht, por si numër është më i reduktuar dhe relativisht më pak të rrezikshme në aspektin e natyrës dhe motiveve.

Duke patur parasysh se personat që kanë kryer krime të përcaktuara në nenin 178 të Projektit mund të dënohen si me burgim të përjetshëm edhe vetëm të themi me 20 vjet burgim, rezulton se sipas kësaj dispozite edhe ky i dënuar nuk do të kishte të drejtë të kërkonte lirim me kusht.

3. a) Me sa më kujtohet, 6 vjet më parë Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) i ka dërguar një kërkesë Kuvendit në të cilën, me argumente sugjeronte që të shqyrtohej dhe të shfuqizohej neni i Kodit Penal që ndalonte kërkesën për lirimin me kusht, ndërsa afati i paraqitjes për lirim me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm të reduktohej në 25 vjet. Asnjë përgjigje.

b) Para 5-6 vjetëve, një gjyqtar (në mos gabohem me mbiemrin Kavaja) mbas shqyrtimit të kërkesës së një të dënuari (meqë sipas nenit 64 të Kodit Penal nuk lejohej të kërkonte lirimin me kusht) këtë çështje, në bazë të nenit 145 të Kushtetutës (gjykimi incidental) ja kishte dërguar Gjykatës Kushtetuese për tu shprehur lidhur me kushtetuetshmërinë e nenit të mësipërm. Më kujtohet se Gjykata Kushtetuese kishte pushuar çështjen sepse ankuesi disa ditë më parë ishte liruar. (Nuk jam interesuar të njihem me këtë çështje, megjithëse kam patur rezerva mbi bazueshmërinë e këtij vendimi).

c) Për rëndësinë e rehabilitimit dhe të drejtën që duhet të ketë çdo i dënuar me burgim të përjetshëm për të kërkuar lirim me kusht, jam shprehur në një shkrim të publikuar në revistën “Avokatia” (shih revistën “Avokatia”, Nr. 32, Tetor 2019).

4. Si argument dhe mbështetje të çështjeve që përmendëm më lart, e shikoj të nevojshme t’i referohem:

a) Në ligjin tonë nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, thuhet se ky ligj ka si qëllim të garantojë kushte për trajtimin me dinjitet të të paraburgosurve dhe të dënuarve me burgim dhe të parandalojë sjelljet ose trajtimin mizor, çnjerëzor, poshtërues dhe degradues. Po në këtë ligj, thuhet se trajtimi i të burgosurve synon “rehabilitimin për riintegrimin e tyre”.

b) A pajtohet neni 178 i Projektit të Kodit Penal me qëndrimin e mbajtur nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ)? Në çështjet Arens kundër Britanisë së Madhe dhe Kafkaris kundër Qipros, GJEDNJ është shprehur se: dënimi që nuk ka prespektivën e lirimit ose që nuk lejon rishikimin e vendimit te gjykatës, shtron çështjen e shkeljes së nenit 3 të Konventës, (ndalimin e torturës). Kjo sipas GJEDNJ ndodh sidomos kur nuk ka mundësi për lirimin e personit të dënuar. Në fakt tek ne, jo vetëm se të burgosurit e dënuar me burgim të përjetshëm megjithëse mbas 35 vjetëve mund të kërkojnë lirimin me kusht, për disa krime u ndalohet edhe kjo kërkesë. Vlen të përmendet gjithashtu se sipas Ligjit tonë të Faljes, nr.10295, datë. 01.07.2010, Presidentit të Republikës i ndalohet të vendosë faljen e personave qe janë dënuar për krime të ndryshme (ky numër është i konsiderueshëm) ku përfshihen edhe krime të rënda si dhe persona që dënohen me burgim të përjetshëm.

c) Është i pakonceptueshëm fakti që Gjykata Ndërkombëtare e Romës (me seli në Hagë) ka të drejtë të rishikojë dhe të reduktojë dënimet e dhëna prej saj kur personi ka vuajtur 2/3 e dënimit ose 25 vjet burgim, ndërsa ne në dispozita të veçanta të Kodit Penal në fuqi dhe të Projektit, jo vetëm afatin për kërkesën e lirimit me kusht e kemi parashikuar 35 vjet, por ndalojmë kërkesa të tilla për një kategori krimesh. Kemi parasysh se sipas statutit të gjykatës së mësipërme, shqyrtohen çështje për krime të genocidit, krime kundër njerëzimit, krime të luftës dhe të agresionit (shih Statutin e Romës për Gjykatën Ndërkombëtare, nenin 110, pika 3). Ky statut është ratifkuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në 17.01,2003.

ç) Në jurisprudecën Gjermane dhe sidomos në praktikat e Gjykatës Kushtetuese, problemet që kanë të bëjnë me burgimin e përjetshëm dhe lirimin e tyre me kusht, janë trajtuar gjerësisht, juridikisht dhe shkencërisht.

Sipas jurisprudencës gjermane i dënuari me burgim të përjetshëm duhet të ketë shpresën për lirim. Ai duhet trajtuar si subjekt dhe jo si objekt. Vendimi për dënim me burgim të përjetshëm nuk duhet të cenojë dinjitetitn e tij që mbrohet me Kushtetutë.

Në këtë shkrim dhe për këtë çështje do të mjaftohem t’i referohem shkurt dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese te Republikës Federale të Gjermanisë: çështjes Life imprisonment, që autorizon gjykatat që sipas rastit të lirojnë me kusht të dënuarit që kanë vuajtur 25 vjet burgim (është fjala për të dënuarit me burgim të përjetshëm). Por ajo që ka tërhequr më tepër vëmendjen dhe që përmendet kur trajtohet dënimi me burgim të përjetshëm është cështja War criminal: një i dënuar në vitin 1962 (66 vjeç) me burgim të përjetshëm, përgjegjës për vdekjen e 50 personave, midis tyre fëmijë dhe gra shtatëzëna në dhomat e gazit të Auschwitz-it dhe që në moshën 89 vjecare u lirua me vendim të Gjykatës Kushtetuese (dhoma e lartë) me votim unanim. Gjykata e motivoi lirimin me arsyetimin se rrezikshmëria e tij nuk mund të ishte ajo e mëparshme, se vazhdimi në gjendje izolimi nuk do të ishte i justifikuar, duke patur parasysh edhe moshën e tij (89 vjecare). Në këtë vendim ajo u shreh gjithashtu se cilado qoftë natyra e krimit të kryer prej tij, ai duhej të shpresonte realisht në rifitimin e lirisë së tij (shih fq. 417 të librit “Jurisprudenca Kushtetuese e Republikës Federale Gjermane”, përkthim shqip, viti 2016).

Në përfundim e shikoj të nevojshme të theksoj se arrestimet e domosdoshme dhe dënimet e bazuara i shërbejnë shoqërisë dhe parandalimit të krimeve, ndërsa rehabilitimi i të dënuarve, sipas meje, është më tepër problem konceptual se sa ligjor.

3 Komente

  1. O
    O Zot cfare tjeter do te na shohen site....

    Nje Njazi turk do te bej kodin penal te nje shteti evropian!? O Zot cfare tjeter do te na shohen site.... gezuar ramazonin!

    Përgjigjjuni
    1. K
      Keshilltari

      Njeriu i zoti si Njazi Jaho flet me argumente

      Përgjigjjuni
      1. D
        Deda

        Z.Jaho me gjithë respektin që kam për punën tuaj nuk jam dakort me mendimin tuaj . Mendova se do kërkoje ashpërsim të ligjit dhe jo zbutje. Për kriminelët duhet ligji ,jo i Enverit me pushkatim por iZogut me varje.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje