Pse u janë qepur të gjithë pensionistëve?

2 Prill 2025, 20:20Politika TEMA
Pse u janë qepur të gjithë pensionistëve?

Nga Ylli Pata

Si në këtë fushatë, nuk pa pasur asnjëherë kaq vëmendje nga politikanët armata e votuesve pensionistë.

Përveç Edi Ramës dhe PS-së, që është forca politike që ka punuar që prej 34 vjetësh më këtë kategori të shoqërisë, sot si opozita, edhe partitë e reja, po bëjnë sulm për të bërë për vete pensionistët.

PS-ja, historikisht edhe komisionerët, edhe anëtarësinë e saj, përkatësisht aktivistët e ka pasur në moshë të madhe e që i përkisnin kategorisë së pensionistëve.

Ky fenomen krijoi në politikën përballë së majtës, një reagim të ashpër ndaj pensionistëve në përgjithësi. Ky lloj bullizmi politik nuk transmetohej vetëm nga fanatikët e bazës së “partive të djathta”, por përdorej rëndom edhe nga politikanët lart. Të cilët e bënin për të treguar se duhet vijuar ky bullizëm për të trembur këtë “armatë të frikshme” që votonte masivisht për të majtën.

Kjo e “djathtë” as nuk e vriste fare mendjen për të mos lënduar pensionistët, pasi kishin me vete “baby boomer-s”-at, njerëzit e “this is miraklle of fridëm”. Por ja vitet ikin e ikin, e “baby boomers”-at zbardhen, zbathen dhe vijnë në moshën e pensionit si papritur.

Edhe pse nuk janë si pensionistët e viteve të para, me kasketa apo borselino, me xhaketa leshi apo stofi, por janë “trendy” e vishen me pantallona apo tuta ngjitur për trup e me atlete pa çorape, kanë ardhur në moshën e tretë.

Në gjithë këto 34 vite, askush, që nga garipat e “miraklle of freedom” deri tek politika sipër as nuk e ka çarë kokën, për atë që bën bazën e një sistemi që Perëndimi i thotë previdencë. Të mendojë për të ardhmen, kur nuk ke mundësi e aftësi për të çarë jetën si luan.

Në gjithë këto vite është vrapuar pë të fituar sa më shumë në “punëra” që vinin përpara, për të harxhuar e shpërthyer në festa e fundjava të gjata, dreka mishi e kërcime pa u ndalur, benza “harushë”, por asnjë kontribut për pensionin.

Kur këta boomer-sat e ‘demokraciiiisë” u bënë biznesmënë nuk paguan asnjë sigurim për punëtorët. Madje mjaft prej tyre edhe i mbanin në pjesën e lekëve, atë pjesën e sigurimeve, por nuk e derdhën kurrë në ISSH.

Pasi gjithçka ishte false; paguaj që të mashtroj me letrat, paguaj për vizë, paguaj, për të bërë letra të reja, paguaj për të marrë kasën, paguaj për të fshehu taksat. E në fund, jemi në një situatë kur një brez i tërë i mrekullisë së demokracisë dhe lirisë, është në moshën e pensionit dhe merr një çmim të hidhur të gjithë sakrificave, por ndoshta edhe të pakujdesisë për të menduar për të ardhmen e tij.

Megjithatë, përveç aspektit kritik, kjo medalje ka edhe një anë tjeter, pasi kemi sakrificën e madhe për të shkolluar e rregulluar fëmijët për një të ardhme sa më të mirë, e natyrisht emigracionin e madh, i cili ka nisur që në vitin 1990 masivisht.

Për të cilin, debati publik ka qenë thuajse i munguar. Mjafton ngurrimi për të hapur votimin e diasporës, për të thënë shumë.

E në këto votime, pra më 11 maj, nëse gjërat shkojnë normalisht me votimin e komplikuar me postë, do të kemi një dimension krejt të ri e të panjohur të një shtrese që vjen vrullshëm në jetën politike e publike.

Rikthimi te pensionistët në fakt, është një tentativë për të rikuperuar një elektorat që nuk e ka as entuziazmin e 1992-1996-s, e as inatin e 2000-2005-s. Madje as vrullin e 2005-2013-n, kur ndodhi frenezia e diplomave pa fund në universitetet që jepnin diploma qesim, e mund t’i shtynin me marifete fëmijët për të punuar në shtet.

“Baby-boomers”-at shqiptarë janë realisht gjenerata më problematike që do të jetë e detyruar të punojnë deri në moshën e fundit që kanë fuqi për të jetuar.

Por mungon një debat real politik, sidomos nga opozita dhe partitë e reja që duhen të shpallin një ide a një projekt për ta hedhur për zgjidhje një çështje që nuk besohet me premtime për rritje me përqindje apo me shifra në hava.

Këtë debat, politika duhet ta bënte e ta bënte herët, dhe me profesionistë sa më të njohur, që të vihet më pas në një propozim sa më realist. Por në të vërtetë, ajo që po i ndodh të gjithëve që janë kujtuar sot për pensionet dhe glorifikojnë pensionistët, nuk është asgjë tjetër vetëm karma e asaj urrejtje të viteve të para, posaçërisht 1990-1991 ku doli thirrja: “Veteranët në hanxhar, pensionistët në litar”!

4 Komente

  1. V
    Vala

    Sepse vetem pensionistet kane ngelur si force kryesore ne ket vend. Kush ben per vete pensionistet, siguron fitoren

    Përgjigjjuni
    1. R
      Rezi

      Një bravo e madhe për shkrimin, kështu përfundon kur mohon punën e brezave, kur vjedh dhe nuk paguan detyrimet shtetit, e tani që vetë u bëre pensionist zbulon se nuk merr pension se s’ka kush paguan pensionin tënd. Vetë nuk ke kursyer për këtë ditë, tani puno deri sa të kesh fuqi e jetë.

      Përgjigjjuni
      1. P
        Priami

        E keqja ka filluar që në vitin 1992 kur hoqi PD nga puna ushtarak, inxhinjerë, mjek, mësues, etj.pa asnjë arësye thjesht se kishin punuar në atë sistemin e kaluar, që sot po e qajnë pjesa më e madhe e populli. Njerzit paguanin sigurime dhr këto nuk derdheshin në sigurimet shoqerore dhe shkonin në xhepat e nuk di ku, një pjesë nuk paguanin dhe sot erdhi dita që nuk ka para për të rritur pensionet. Mos fajsoni qeverin e kohës nuk ka shkopin magjik të rrisi pensionet atje ku duhet. Po bën gabim që rrit pa fund rrogat e parlamentarët, ju jep shpërblime të pa merituara për karburante, dieta etj për shërbime që nuk i kryejnë. Edi Rama kam një kërkes : uli rrogat e deputetëve e sidomos e organizmave të tjera të sistemit të Drejtësis, përse duhet ne të jetojmë keq dhe ata dhe ju shumë mirë?

        Përgjigjjuni
        1. M
          Mirësia

          Kur një i punësuar del në pension kontributi i tij duhet të identifikohet duke u nisur nga paga minimale kur ai del në pension. Llogaritjet e daljes në pension bëhet pa indeksuar pagën minimale (kur ai sigurohej) me pagën minimale kur ai del në pension. Duke bërë këtë "gabim" të qëllimshëm sigurimet, pensionet e pensionistëve gjatë gjithë viteve të demonkracisë janë llogaritur me paramendim në kundërshtim me ligjet, sepse ligji dhe logjika më e thjeshtë thotë se duhet të bëhet indeksimi. Pra duhet merret në llogaritje paga reale dhe jo ajo nominale. Këtë mashtrim kanë bërë sigurimet dhe qeverive i ka leverdisur. Pensonistë mos pranoni të trajtoheni si lypsarë, se ju ishit shtylla kryesore e këtij vendi, djersën tuaj e grabitën ato që u bënë të pasur në sistemin e drejtësisë dhe politikanët sharlatanë. Përpara se të votoni, vlerësoni veten dhe kontributin tuaj se ju kanë vjedhur, gjithë te mirat për vete dhe ju ju japin për lëmoshë. A e kuptoni sa vleni për to, ju fusin në numër vetëm për ditën e votimeve, ditën që marrin drejtimin e pushtetit, sepse pa të janë askushi. Vlerësoni veten dhe fëmijët tuaj!

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje