Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij pas dëgjesës me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, iu përgjigj edhe kritikave se shumë ministra të qeverisë kanë përfunduar në burg.
Rama nuk kurseu ironinë teksa tha se nuk kanë numëruar mirë dhe se i ka bërë Lulzim Basha ‘analfabetë aritmetik’.
“Sa të jetë kjo parti, prokurorët dhe gjykatësit mund të bëjnë punën e tyre të pavarur, por ama nuk jemi shurdh memec.
I kemi vënë në dispozicion trupin tonë, organizmin e PS sallës së operacioneve kundër korrupsionit. Atyre që thonë se u futën të gjithë ministrat në burg, iu them numëroni mirë se iu ka bërë Luli analfabet aritmetik.
12 vjet në qeveri, 60 e kusur ministra, dy janë nga mandati i parë të dënuar, një është akoma në paraburgim pa gjyq por është i fajshëm apo jo e vendos gjykata dhe një tjetër është në arrati. Gjithçka që ndodh është vepër e kësaj force këtu.
Nëse sot ka një luftë frontale për të forcuar drejtësinë, për ta bërë profesionale dhe evropiane, përveçse të pavarur dhe nëse sot erdhi dita të na tregojnë ne se çfarë është drejtësia e pavarur, kjo është vepra jonë dhe e askujt tjetër.
Prandaj me 11 maj duam një mandat shumë më të fortë sepse duam që këtë dritaren e hapur në këto rrethana historike për Evropën dhe ne ta shfrytëzojmë dhe në 2027 mbyllim negociatat dhe brenda kësaj dekade të bëhemi anëtarë të BE edhe për shkak se kemi krijuar një drejtësi të pavarur dhe evropiane”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje