Rama i dërgon letër Sinanit: Do të vazhdojmë të punojmë për shqiptarët në Luginën e Preshevës

22 Maj 2025, 14:35Politika TEMA
Rama i dërgon letër Sinanit: Do të vazhdojmë të

Kryeministri Edi Rama, i ka dërguar një letër kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ku i shpreh mbështetjen e Tiranës zyrtare për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Letra është bërë publike nga vetë kryetarja Sinani, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook falenderon kryeministrin Rama për mbështetjen e vazhdueshme.

Letra e kryeministrit ishte përgjigje ndaj urimit që kryetarja e komunës së Preshevës i ka bërë për fitoren e mandatit të katërt.

Letra e plotë e kryeministrit Edi Rama:

E nderuar zonja Sinani,

Ju falënderoj përzemërsisht për urimin Tuaj aq të ngrohtë e miqësor me rastin e fitores në zgjedhjet e përgjithshme politike për një mandat të ri qeverisës.

Duke Ju përcjellë këtë mesazh falënderimi, unë kam rastin e duhur të shpreh gjithë vlerësimin tim për angazhimin dhe përkushtimin Tuaj në krye të Komunës së Preshevës, në mirëqeverisjen e qytetarëve të saj dhe në mbrojtjen e avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Dua t'Ju siguroj se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të rritet e forcohet, si shprehje e vëmendjes dhe përkujdesjes së Qeverisë shqiptare ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe angazhimit të saj të qëndrueshëm në mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të tyre, si edhe në rritjen dhe forcimin e zhvillimit ekonomik dhe standardit jetësor të shqiptarëve në Luginë.

Edhe një herë, me urimet e mia më të mira për Ju dhe me besimin se në një kohë të përshtatshme do të jem përsëri mes qytetarëve të Preshevës, pranoni Ju lutem, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

 

1 Komente

  1. B
    BRAVO RAMA

    MOS I LER VLLEZRIT E MOTRAT SHQIPTARE KURR NEN DUART E SHTETIT TERRORISTE SERB

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje