Me pak gjasë që të ndodhë, por jo i përjashtuar krejtësisht.
Kështu e ka komentuar kryeministri shqiptar, Edi Rama, një takim të mundshëm mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, i cili pritet të mbahet të hënën në Tiranë.
Gjatë një interviste për Euronews Albania, Rama tha se asgjë e tillë nuk është planifikuar në kuadër të Samitit.
Madje, ai vetë nuk parasheh se në fakt një takim i tillë mund të ndodhë, me këdo prej liderëve që vendet zgjedhin të marrin pjesë në Tiranë.
Por, nga ana tjetër, është për t’u përmendur fakti se presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të ndodhen në Tiranë si pjesë integrale dhe iniciatorë e këtij Samiti dhe në kushte të tilla, asgjë nuk është e përjashtuar.
Sipas kreut të Qeverisë shqiptare, duke qenë se Macron dhe Scholz janë të ftuar dhe duke qenë se të dy vendet (Franca dhe Gjermania) janë hartuesit e planit të normalizimit franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë, mund të ndodhë që dy liderët evropianë të kërkojnë takime me përfaquesit e Kosovës dhe Serbisë.
Ndaj nuk mund të përjashtohet një takim i tillë, edhe pse në agjendën e Samitit nuk është i parashikuar dhe se vetë kryeministri nuk e parasheh të mundshëm atë.
Mbi vetë situatën e rajonit ndërkaq dhe tensionet e vazhdueshme, ai nuk mendon se do ta zbehin Samitin e mbajtur në Tiranë, pasi agjenda e këtij të fundit është vendosur shumë më parë dhe është dakorduar se çfarë do të arrihet aty.
Duke u ndalur në perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 ndërkaq, Rama u treguar (ashtu si edhe rastet e fundit) i përmbajtur.
“Le të jemi të sinqertë dhe realistë. Evropa funksionon në një mënyrë që Komisioni, Këshilli bazohen në zgjedhje, ndryshime”, theksoi ai. "Anëtarësimi në 2030 nuk është vendim. Ma ka mësuar eksperienca se nuk duhet varur shpresa tek afatet që cakton BE-ja, sepse ato ndryshojnë kur bëhet fjala për marrëdhënien me vendet tona”, tha Rama.
Lini një Përgjigje