Shkrimi i BBC/ Kryeministri i Shqipërisë: Ministrja e parë në botë nga AI do të eliminojë korrupsionin

12 Shtator 2025, 22:17Politika TEMA

Nga Guy Delauney*

Për zyrtarët e qeverisë, të të quajturit “pa zemër” është një rrezik i zakonshëm i profesionit. Por Shqipëria ka zgjedhur ta kthejë këtë fyerje në një cilësi pozitive, duke emëruar një ministre të krijuar nga inteligjenca artificiale.

Jo një ministre për inteligjencën artificiale. Por një anëtare kabineti, e cila është, në kuptimin e plotë të fjalës, produkt i AI.

Shtesa e re, si një yll popi, njihet vetëm me një emër të vetëm: Diella.

Kryeministri Edi Rama e prezantoi atë si pjesë të kabinetit të tij të ri të enjten, katër muaj pas sigurimit të mandatit të katërt në zgjedhjet e majit.

Megjithatë, ky hap ishte më shumë simbolik sesa zyrtar, pasi kushtetuta e Shqipërisë kërkon që ministrat të jenë qytetarë të aftë mendërisht dhe të paktën 18 vjeç.

Shkrimi i BBC/ Kryeministri i Shqipërisë: Ministrja e parë


Pse një “bot” në vend të një njeriu?

Avantazhet janë të dukshme.
Diella, emri i së cilës do të thotë “diell” në shqip, nuk do të jetë burim rrjedhjesh të sikletshme për qeverinë. Ajo do të ketë “uri për pushtet” vetëm në kuptimin e energjisë elektrike që konsumon. Dhe një skandal me shpenzime të paligjshme duket i pamundur.

Në fakt, korrupsioni ishte kryefjala në mendjen e Ramës kur e bëri Diellën pjesë të ekipit të tij si ministre për prokurimin publik.

Roli i saj do të jetë të sigurojë që Shqipëria të bëhet “një vend ku tenderat publikë janë 100% të lirë nga korrupsioni”.

“Ne po punojmë me një ekip brilant, jo vetëm shqiptar, por edhe ndërkombëtar, për të dalë me modelin e parë të plotë të AI në prokurimin publik,” tha kryeministri për BBC.

“Jo vetëm që do të fshijmë çdo ndikim të mundshëm në tendera – por gjithashtu do ta bëjmë procesin shumë më të shpejtë, shumë më efikas dhe plotësisht të llogaritshëm.”

Nga një bot ndihmës, në një “ministre”

Diella kishte filluar punën në Shqipëri edhe përpara se të “emërohej” nga qeveria. Shfaqja e saj e parë ishte si asistente virtuale e fuqizuar nga AI, që udhëhiqte aplikantët në procesin e marrjes së dokumenteve zyrtare.

Rama krenohet se Diella ka “ndihmuar mbi një milion aplikime” në platformën e-Albania. Por vizioni i tij për rolin e AI në qeverisje është shumë më i madh sesa një chatbot.

Ai flet për një “kërcim përpara” ndaj vendeve më të mëdha e më të avancuara, të cilat ende janë të lidhura me “mënyrat tradicionale të punës”.

Reagimet e para: skeptikë dhe optimistë

Reagimet ndaj rolit të ri të Diellës janë, siç pritej, të përziera. Partia Demokratike e opozitës e ka cilësuar këtë nismë si “qesharake” dhe “jokushtetuese”.

Por të tjerë janë më optimistë, megjithëse me kujdes.

Aneida Bajraktari Bicja, themeluese e kompanisë financiare Balkans Capital, vëren se Edi Rama “shpesh i përzien reformat me teatrin, ndaj është e natyrshme që njerëzit pyesin nëse kjo është thjesht simbolikë”. Por sipas saj, një “ministre e AI” mund të jetë ndërtuese nëse zhvillohet në sisteme reale që rrisin transparencën dhe besimin në prokurimin publik.

Edhe ekspertët kundër korrupsionit e shohin AI si mjet me potencial për të minimizuar abuzimet.

“AI është ende një mjet i ri – por nëse programohet saktë, kur dorëzon një ofertë online, mund të shohësh qartë e nga afër nëse një kompani plotëson kushtet dhe kriteret,” thotë Dr. Andi Hoxhaj nga King’s College London, specialist për Ballkanin Perëndimor, korrupsionin dhe sundimin e ligjit.

Ai beson se progresi i shpejtë i Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në BE, dhe inkurajimi nga Brukseli për t’i përfunduar ato deri në vitin 2027, i japin vendit një nxitje të fuqishme për të luftuar korrupsionin.

“Shumë gjëra janë në lojë,” thotë ai. “Kushti kryesor nga BE ka qenë adresimi i korrupsionit. Nëse [Diella] është një mjet që mund të përdoret për këtë qëllim, ia vlen të eksplorohet.”

Shfaqje apo realitet?

Edi Rama nuk e mohon se nisma ka edhe element të një truku mediatik. Por këmbëngul se pas prezantimit “lojcak” ka një synim serioz.

“Kjo vendos presion mbi anëtarët e tjerë të kabinetit dhe agjencitë kombëtare që të punojnë dhe të mendojnë ndryshe. Ky është përparësia më e madhe që pres nga kjo ministre,” thotë ai.

Me fjalë të tjera, ministrat duhet të kenë kujdes: AI mund të vijë edhe për punët e tyre.

* Korrespondent i BBC për Ballkanin.  

 

8 Komente

  1. .
    .....

    Per te gjithe ata qe marin vesh sadopak nga programimi , e dine se inteligjenca artificiale si software qe eshte ben ate qe "i thote" programuesi. Nese nje minister njeri duhet ti japesh leke per te fituar tenderin , Diella manipulohet me 2-3 rreshta program dhe nxjerr fitues ate qe do programuesi.

    Përgjigjjuni
    1. s
      sapa

      Edhe Jezusi te vinte ne shqiperi do ikte prape nga ka ardhur!Ska shanse qe kjo politike dhe ky popull te heqe dore nga vjedhja dhe korrupsjoni!

      Përgjigjjuni
      1. P
        Populli

        Mashtrimet e Edi romit bashke me masonin Tony Blair. Vetem sa do vjedhin me teper.

        Përgjigjjuni
        1. A
          Art

          Me kushtetutë, ministri merr detyren pasi betohet para Presidentit të Republikes. Jam kurioz si do të betohet Diella.

          Përgjigjjuni
          1. M
            Mashtrim i madh

            Edi kryekrimineli

            Përgjigjjuni
            1. d
              deda

              jo vetëm atë po të gjithë ministritë të jenë ashtu

              Përgjigjjuni
              1. G
                Ganiu

                Ky eshte pikerisht Tipi i Pordhes mediatike qe shperndahet shpejt po zgjat pak.PO lajmi e ka nje te vertete logjike,ate se ne Shqiperi qenka shume e veshtire te gjesh nje njeri apo nje grup njerezish te pakorruptuar ti vesh ne krye te puneve per PROKURIMET Publike.Kot po Pyes meqense nje arsye mund te kete qene edhe frika deri ne palce PREJ SPAK per te firmosur tendera , nese Kjo Ministrja ETERIKE e RAMES gabon a merret ne pergjegjesi Penale dhe kush do te paguaje per demin e saj

                Përgjigjjuni
                1. n
                  nje qytetare

                  Eshte ne veprim i guximshem qe i kundervihet njerezve qe dine vetem te vjedhin e te perfitojne dhe qe nuk jane pak ne vendin tone. Jeta do ta provoje ne se do te kete nje efekt pozitiv ose jo. Te mos flasim para kohe.

                  Përgjigjjuni

                  Lini një Përgjigje