Shqipëria hap katër kapituj të rinj në negociatat me BE! Sot konferenca e 6-të Ndërqeveritare në Bruksel

16 Shtator 2025, 07:32Politika TEMA
Shqipëria hap katër kapituj të rinj në negociatat me BE! Sot

Shqipëria do të shënojë sot një hap të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian, duke hapur katër kapituj të rinj në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në datën 16 shtator, me ftesë të Danimarkës, do të zhvillohet në Bruksel Konferenca e 6-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.

Takimi do të shërbejë për hapjen zyrtare të negociatave për Grupin 4: “Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme”, që përfshin:

Kapitullin 14 – Politika e transportit

Kapitullin 21 – Rrjetet transevropiane

Kapitullin 27 – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike

Konferenca do të bashkëdrejtohet nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, e cila përfaqëson presidencën e radhës së Këshillit të BE-së.

Sipas agjendës zyrtare, punimet e konferencës do të nisin në orën 08:00. Në vijim, rreth orës 09:15, është planifikuar mbajtja e konferencës për shtyp, ndërsa në orën 10:00 do të zhvillohet Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.

Fillimisht, palët do të miratojnë agjendën e takimit si dhe procesverbalet e konferencave të mëparshme ndërqeveritare të mbajtura në prill dhe maj të këtij viti. Më pas do të mbahen fjalimet hapëse, ku e para do të flasë ministrja Bjerre, pasuar nga Kryeministri Rama. Në këtë seancë do të zyrtarizohet hapja e negociatave për kapitujt e Grupit 4.

Përfaqësuesja daneze do të paraqesë edhe Qëndrimin e Përbashkët të BE-së, dokumenti që shpreh konsensusin e shteteve anëtare për hapjen e grupit, duke i kërkuar Shqipërisë të konfirmojë dakordësinë e saj.

Në takim do të marrë pjesë edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cila do të japë vërejtjet e saj mbi progresin e Shqipërisë dhe pritshmëritë për këtë fazë të re të negociatave.

Punimet e Konferencës do të mbyllen me deklarata përmbyllëse nga përfaqësuesit e BE-së, ministrja Bjerre, Komisionerja Kos dhe Kryeministri Rama.

1 Komente

  1. F
    Fiqiri

    Ec përpara kryeministër dhe mos shiko zagarët dhe konet që lehin.Udhë të mbarë dhe siguri në plotësimin e kapitujve për vitin 2027 , ftesa për në Europë

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje