Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë vetë kryeministri Edi Rama, Shqipëria pritet të hapë së shpejti Grupkapitullin 4 për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian autorizoi Presidencën e BE-së, dhe Presidenca Polake i dërgoi sot letrën Shqipërisë, ku i kërkon të paraqesë pozicionin e saj negociues mbi katër kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Pozicioni negociues do t’i paraqitet Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të organizohet në një datë që do të shpallet së shpejti nga Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Kapitujt e Grupkapitullit 4 përfshijnë fusha shumë të rëndësishme për ekonominë, biznesin dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Kapitulli 14, i cili trajton politikën e transportit, synon përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore e hekurudhore;
Kapitulli 15 lidhet me sektorin e energjisë dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji;
Kapitulli 21 fokusohet te rrjetet trans-evropiane dhe ndërlidhjen infrastrukturore të Shqipërisë me vendet e BE-së, si pjesë e rëndësishme e Korridoreve Evropiane;
Ndërsa Kapitulli 27 vlerëson mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike, përmes standardeve të larta të BE-së.
Lini një Përgjigje