Një projektligj i qeverisë që synon të krijojë një strukturë qendrore për “sigurinë kibernetike” të institucioneve të shtetit ngriti pikëpyetje mbi rrezikun e ndërhyrjes së papërshtatshme të qeverisë qendrore në punën e institucioneve të pavarura politikisht, të tilla si institucionet e drejtësisë apo të sigurisë. Shqetësimet e ngritura nga deputetët e opozitës u konsideruan si të pabaza nga maxhoranca, e cila nënvijëzoi se siguria kibernetike nuk merret me përmbajtjen e të dhënave në sistemet e informacionit digjital të mbajtura nga institucione të ndryshme.
Komisioni për Çështjet Evropiane miratoi të hënën projektligjin për “Sigurinë Kibernetike” që parashikon ngritjen e një strukturë ombrellë sigurie për të gjithë institucionet e vendit dhe synon të parandalojë sulme në të ardhmen që cënojnë sigurinë kombëtare.
Ligjin e ri e mbrojti ministrja Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, sipas së cilës, qëllimi i këtij projektligji është përcaktimi i kornizës së nevojshme ligjore për sigurinë kibernetike.
Dispozitat ligjore, sipas ministres, përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e subjekteve publike dhe private, të cilat administrojnë infrastruktura të informacionit, cenimi apo shkatërrimi i të cilave do të kishte impakt në sigurinë dhe mirëqenien ekonomike të qytetarëve.
“Zgjerohen kompetencat e autoritetit përgjegjës që i përfshin të gjitha institucionet dhe shërbimet”- tha ajo duke shtuar se mbrojtja do të bëhet në nivel kombëtar. Kjo lloj mbrojtje përfshin dhe institucionet e pavarura të cilat janë përfshirë tek infrastruktura kritike për sigurinë kibernetike.
Kryetarja e Komisionit, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ngriti shqetësimin për cënimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe këmbënguli që kjo pikë binte ndesh me legjislacionin e BE-së.
“Në të gjithë infrastrukturën që ju po ngreni për sigurinë kibernetike, institucionet e pavarura të drejtësisë, SHISH-i dhe çdo institucion tjetër është pjesë e kësaj infrastrukture tashmë. Ky është një problem kushtetues dhe problem për ruajtjen dhe kontrollin e pushteteve”- i tha ajo Spiropalit duke e pyetur se si mund të ruhet pavarësia e tyre në raste të sulmesh kibernetike.
Ministrja Spiropali u përgjigj se nuk bëhej fjalë për “aksesin në të dhëna, por vetëm në alerte që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare”.
Sipas saj, i gjithë ligji po rregullon masat dhe insfrastrukturën që niveli i mbrojtjes nga sulmet kibernetike të jetë në nivel kombëtar.
Por, Tabaku e solli shqetësimin e saj në formën e një amandamenti i cili u rrëzua me votën e shumicës socialiste.
Sipas parashikimeve ligjore, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike do të jetë organ rregullator dhe institucion përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e legjislacionit për sigurinë kibernetike.
Ky autoritet, sipas ligjit të ri, “vepron si pikë qendrore kontakti në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe koordinon dhe bashkërendon punën me institucionet e tjera në fushën e sigurisë kibernetike për zgjidhjen e incidenteve kibernetike” si dhe bashkëpunon apo asiston me operatorët e “infrastrukturave kritike” për zgjidhjen e incidenteve.
“Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit kanë detyrimin të raportojnë të gjitha infrastrukturat e tyre të informacionit pranë Autoritetit”- thuhet në dispozitat e tij, si dhe “… i ofrojnë CSIRT-it kombëtar akses të drejtpërdrejtë në ambientet e infrastrukturave dhe sistemet e tyre të informacionit, të cilat janë të lidhura me shërbimet e ofruara prej tyre”.
Shqipëria u godit rëndë në korrik 2022 nga një sulm kibernetik që shënjestroi infrastrukturën e ndërtuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Pjesa dërrmuese e shërbimeve publike u rrëzuan, disa nuk janë rivendosur ende në funksionim edhe gati dy vjet më vonë, si pasojë e një depërtimi piratesk në të gjitha sistemet, shkaktuar nga pakujdesia në menaxhimin e një shërbimi periferik. Edhe në atë kohë u ngritën pikëpyetje mbi faktin se pse kaq shumë sisteme u përqendruan në një dorë, gjë që siguroi rrëzimin e tyre me një goditje.
Ka shume djem dhe vajza te talentuar shqiptare ne bote qe kane njohuri te jashtezakonshme per sigurine kibernetike. Keta persona mund te krijojne 5 shtresa mbrojtje te institucioneve dhe kompanive qe ju hserbejne, madje te kthejne mbrapsht edhe ne rast se ka nje carje te sigurise, edhe nese kane ndodhur, sepse inteligjenca artificale (nje nga pese shtresat mbrojtese) mund ta beje nje gje te tille. Hej, paguajini keta te rinj dhe te reja me rroga amerikane dhe kthejeni trurin e ri qe eshte rritur ne Amerike, Kanada, apo Europe ne vendin e tyre. Mos u merrni me te huaj dhe me komplekset tuaja te inferioritetit duke menduar se te huajt jane 'Perendi'. Kemi te rinjte dhe te rejat tona te talentuar qe mbajne ne kembe funksionimin normal dhe bejne mbrojtjen e ketyre kompanive apo institucioneve permes njohurive te jashtezakonshme qe kane. Spiropali apo Tabaku, nuk mund te bejne mbrojtjen apo ligjet kibernetike, kur nuk kane as edhe me te voglin kuptim te sigurise kibernetike. Kam shume respekt per te dyja zonjat, por nuk jane per ate pune.
Ky ligj, por dhe të tjerë, hartohen gjithmonë nga ekspertet e fushave respektive, duke konsideruar si legjislacionin më të përparuar botëror po aq dhe "know-how"-n e specialistëve më të mirë shqiptare. Nuk janë punë Spiropali dhe Tabaku, këto! Ato, dhe të ngjajshmit në komisionet e ndryshme parlamentare, janë deputetë/e, dhe aty thjesht i miratojnë apo i rrëzojnë ato p/ligje, sipas ekspertizës që e kanë për detyrë ta sigurojnë dhe ta konsultojnë. Kështu veprohet kudo. Nuk e kemi shpikur ne rrotën!