Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka vijuar akuzat ndaj qeverisë në pjesën e dytë të interpelancës për Korporatën e Investimeve, duke e cilësuar këtë strukturë si një model të dështuar dhe jashtë çdo standardi europian.
Në përgjigje të ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Tabaku deklaroi se shpjegimet e dhëna nuk kanë sqaruar qytetarët dhe se përdorimi i ekspertëve ndërkombëtarë po shërben vetëm si fasadë për vendime të paracaktuara.
Ajo solli në vëmendje rastin e Porto Romanos, duke theksuar se rekomandimet e ekspertëve janë anashkaluar në praktikë, ndërsa vendimet janë marrë në funksion të interesave të ngushta.
Sipas Tabakut, modeli i ndjekur nga qeveria është i përqendruar tek ndërtimi i kullave dhe tjetërsimi i pronave publike, pa procedura dhe pa transparencë. Ajo ngriti shqetësimin për prishjen e objekteve publike dhe transferimin e aseteve strategjike pa studime fizibiliteti dhe pa vlerësim të qartë ekonomik.
Deputetja iu referua edhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke theksuar mungesën e dokumentacionit dhe procedurave, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve shkon për pagesa ekspertësh. Sipas saj, Korporata është kthyer në një strukturë që prodhon kosto dhe jo zhvillim.
Në planin më të gjerë, Tabaku e cilësoi këtë model si jo-perëndimor dhe në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka në procesin e integrimit europian. Ajo theksoi se mekanizma të tillë, përfshirë edhe ligjin për investimet strategjike, duhet të çmontohen pasi nuk përputhen me standardet e Bashkimit Europian.
Në përfundim, Tabaku deklaroi se interpelanca nuk ka sjellë më shumë transparencë për qytetarët dhe se mbetet e paqartë mënyra se si po administrohen dhe tjetërsohen pasuritë publike.
Korporatat Jane teresisht model kapitaliste perendimor, NUK Jane prone shteterore mbi mjetet e prodhimit, pra prone socialiste.