“TIMS”, deputeti socialist: S’jemi kundër marrjes në pyetje të Ramës apo Ballës, Salianji po bën protagonistin

23 Prill 2024, 22:40Politika TEMA
“TIMS”, deputeti socialist: S’jemi kundër marrjes në

Anëtar i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS, deputeti socialist Xhemal Qefalia u shpreh se socialistët nuk janë kundër marrjes në pyetje të kryeministrit Edi Rama apo ministrin e Brendshëm, Taulant Balla. Megjithatë, theksoi se ende Komisioni nuk ka arritur në këtë fazë për caktimin e emrave që duan të thërrasin dëshmitarë, duke hedhur akuza në drejtim të opozitës së po shkel ligjin për Komisionet.

I ftuar në Debatin e Pasdites me gazetaren Bruna Çifligu, Qefalia tha se ky Komision nuk është ngritur për të linçuar njerëz, por për identifikimin e problemeve dhe se opozita do duhet ta respektojë këtë.

“Komisioni nuk është për të linçuar njerëz, por me identifikimin e problematikave. Nuk kemi kundërshtuar me votë që do thërrasim as Ramës, as ministrin Balla, do shikojmë planin e hetimit dhe nëse ka nevojë, do i thërrasim. Unë si anëtarë për TIMS nuk jam njohur me informacionet që kanë sjellë institucionet përkatëse, që tregojnë si është funksionimi i këtyre institucioneve, sepse nuk i kam parë ende këto informacione. 5200 veta kanë të drejtën për t’u futur në sistemin TIMS”, tha Qefalia.

Ai renditi dhe disa arsye se përse socialistët kanë mbajtur një qëndrim kundërshtues me punën e deritanishme të këtij Komisioni.

“Që në fillim është munduar që kryetari i Komisionit është munduar që të bëjë protagonistin, është shkelur ligji, se vendimet merren jo të njëanshme, vendimet merren si Komision, nëse Rithemelimi do të bëjë propagandë, këtë ta bëjë në seli, te Komisioni i TIMS kryetari ka gjetur momenti kur anëtarët e komisionit kanë dalë nga salla dhe është bërë një hedhje fiktive në votim. Ne kërkuam që të zbatohet në mënyrë rigoroze ligjin”, përfundoi deputeti.

Në fund, tha se uron që ky Komision të dalë me një raport të përbashkët dhe jo si ka ndodhur historikisht ku opozita dhe mazhoranca kanë dalë me 2 raporte krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetrën.

Lini një Përgjigje