Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Roland Bejko, në një intervistë për gazetën TemA, deklaroi se Sali Berisha ka çuar drejt shkatërrimit funksionalitetin e PD-së.
Duke komentuar protestat e fundit të opozitës, Bejko theksoi se tubimi me vetëm rreth 300 pjesëmarrës është tregues i qartë i fundit politik të Berishës , ndërsa shtoi se ky i fundit duhet të largohet nga politika.
“Ky bën spektakël politik, nuk bën një politikë reale, nuk prodhon politikë. Dhe mbi të gjitha pastaj, dëmi më i madh që i ka bërë Berisha Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi është që e ka bërë disfunksionale Partinë Demokratike.
Partia Demokratike tashmë, edhe pse mori 500.000 vota në zgjedhjet e disa muajve më parë, pra në 11 maj, e përfaqësuar në shesh me gati 300 vetë, jep mesazhin që është një parti që gati është shkrirë, sepse fakti që edhe militantët e tu, të cilët nuk të lënë në asnjë lloj momenti të vështirë, të kanë baraktisur, do të thotë që ka ardhur fundi dhe duhet të largohet.
Më vjen keq për një gjë, se kam katër vjet që kur kam qenë i angazhuar politikisht, në strukturat e Partisë Demokratike, në nivel drejtues së saj. Kam katër vjet që them që Partia Demokratike do t'ia mbërrinte kësaj dite. Nuk jam i lumtur që më ka dalë parashikimi. Jam shumë i mërzitur, sepse prisja që të kishte reagim më të madh brenda Partisë Demokratike”, tha Bejko.