VIDEO/ Oresti Berberi: Akuzat e Berishës dhe Nokës ndaj lëvizjes Salianji, panik, jo debat politik. Ju tregoj revoltën që po zien brenda PD-së

17 Dhjetor 2025, 16:06Politika TEMA
VIDEO/ Oresti Berberi: Akuzat e Berishës dhe Nokës ndaj lëvizjes

“Nëse Berisha na përjashton, kam bindjen se do të kemi më shumë demokratë rreth vetes”, thotë Oresti Berberi, një prej zërave më aktivë të të rinjve demokratë, në një moment kur brenda Partisë Demokratike po kristalizohet një përplasje e hapur mes lidershipit dhe bazës. Sipas tij, ajo që po ndodh sot në PD nuk është një konflikt individësh, por një betejë mes mendimit kritik dhe një lidershipi që prej vitesh nuk e ka lejuar atë të mbijetojë. “Ne po themelojmë mendimin kritik në PD, një mendim që është përjashtuar sistematikisht. Nuk jemi në linjën e foltoreve apo xhirove të bulevardit, por në linjën e një Partie Demokratike në revoltë, që synon të rrëzojë një qeveri të inkriminuar dhe ta bëjë Partinë Demokratike fituese”, thotë Berberi.

Takimi i fundit në Elbasan, sipas tij, ishte dëshmi e qartë e kësaj fryme. Në sallë u mblodhën anëtarë të forumeve më të larta të PD-së në qytet, kryetarë grupseksionesh, ish-deputetë, kandidatë për deputetë, drejtues të forumeve rinore, demokratë të thjeshtë, të cilët siç shprehet Berberi, “nuk e durojnë më mashtrimin që u vjen nga lidershipi aktual të partisë”.

Sipas tij, reagimi i drejtuesve të PD-së nuk lidhet me shqetësimin për unitetin e partisë, por me frikën që kanë nga takimet që Ervin Salianji me demokratë të tjerë po zhvillojnë çdo ditë me elektoratin në mbarë Shqipërinë. “Është panik, jo debat politik”, shprehet Berberi.

I angazhuar prej vitesh në PD-në e Durrësit dhe Tiranës, ai thotë se bashkë me dhjetëra aktivistë të rinj nuk do të pranojnë më shpërfilljen dhe arrogancën që vjen nga selia qendrore në Tiranë. “Ne nuk do të pranojmë më të jemi dekor”, thotë Berberi ndërsa sqaron se të rinjtë në këtë parti janë mbajtur për vite si fasadë, ndërsa vendimmarrja është mbyllur hermetikisht.

Në takimet e përditshme me demokratët, Berberi thotë se ka konstatuar një realitet të ri: militantët nuk besojnë më te Sali Berisha. “Zëri i bazës është krejt ndryshe nga ai i selisë qendrore. Poshtë ka zhgënjim, lodhje dhe mosbesim. Lart ka mohim të realitetit”, shprehet ai, duke shtuar se lidershipi ose nuk po e pranon këtë fakt, ose ende nuk e ka kuptuar.

Sipas Berberit, PD ka sot një “ushtri të madhe demokratësh” që kërkojnë të bashkohen rreth disa parimeve të thjeshta: besim, respekt dhe përfaqësim real. Pa këto, thotë ai, asnjë organizatë politike nuk mund të mbijetojë.

Ai i sheh akuzat për lidhje me Suel Çelën si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga kriza e thellë e besimit brenda partisë.

Takimi i tij me Flamur Nokën në zyrat e PD-së, si dhe sulmet që pasuan për shkak të angazhimit në lëvizjen e Ervin Salianjit, janë, sipas tij, dëshmi e frikës për t’u përballur me një rrymë që po rritet. “Frika nuk është te ne. Frika është te ata që e dinë se kanë humbur bazën”, thotë ai.