Zekthi: Kriza në Shqipëri nuk vjen nga reforma zgjedhore, por nga sistemi i kalbur politik

22 Tetor 2025, 11:06Politika TEMA
Zekthi: Kriza në Shqipëri nuk vjen nga reforma zgjedhore, por nga

Analisti politik Fitim Zekthi, ka komentuar zhvillimet aktuale politike në vend. Sipas tij, Shqipëria nuk ndodhet në krizë për shkak të reformës zgjedhore, por për shkak të një sistemi të kalbur politik, ku partitë janë të shkatërruara dhe institucionet të paralizuara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Zekthi shtoi se dakordësia mes palëve politike për të pasur një numër të barabartë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore nuk është e sinqertë.

“Pavarësisht se duken të dakordësuar, palët nuk janë të sinqertë sepse prej më shumë se 30 vitesh kanë treguar që nuk kanë pasur vullnet” tha Zekthi në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH.

Ai theksoi se kriza në Shqipëri nuk ka të bëjë me reformën zgjedhore, por me vetë sistemin politik.

“Shqipëria sot nuk është në krizë politike, ekonomike apo në krizë të sundimit të ligjit dhe rendit publik për shkak të reformës zgjedhore. Vendi është në një krizë të thellë, të pashembullt, të padëgjuar në këto 35 vite për shkak të vetë sistemit politik. Institucionet janë të shkatërruara, partitë politike janë të shpartalluara, sundimi i ligjit dhe e drejta janë të paqena sepse krimi dhe korrupsioni na ka pushtuar totalisht” u shpreh ai.

Zekthi kritikoi mënyrën si janë hartuar ligjet zgjedhore ndër vite, duke thënë se ato kanë qenë gjithmonë produkt i dy partive të mëdha për përfitime elektorale.

“Ligji gjithmonë ka qenë brenda kuadrit demokratik, por këto përpjekje për të ndryshuar sërish ligjet zgjedhore janë një truk i qëllimshëm politik i partive që kërkojnë të mashtrojnë publikun, sikur po përpiqen të rregullojnë krizën tonë të pashembullt politike” tha ai.

Sipas tij, zgjidhja nuk qëndron te përmirësimi i ligjeve, por te largimi i partive nga procesi zgjedhor.

 “Gjëja e parë është që partitë duhet të heqin dorë nga zgjedhjet. Nuk duhet të kenë asnjë punë me zgjedhjet, duke mos pasur as komisioner, as administrator, as në komisionet zgjedhore, komisionet zonale” tha Zekthi.

2 Komente

  1. J
    Jeniceri

    Mire e thua . Politike e kalbur . Po a e di ti se kjo kalbesire eshte burimi i kalbesirave te tjera ?

    Përgjigjjuni
    1. K
      KROI MBRETIT

      Sipas ketij analisti politik shoqeroa shqiptare duhet te zhvillohet ne kushte laboratorike.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje