Zgjedhjet lokale, KQZ nis përgatitjet, letër bashkive: Përcaktoni Qendrat e Votimit

13 Prill 2026, 13:22Politika TEMA
Zgjedhjet lokale, KQZ nis përgatitjet, letër bashkive:

Vendndodhjet e qendrave të votimit shpesh janë bërë shkak për debate mes partive politike. Në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë është kritikuar në shumë raste edhe mungesa e standardeve të tyre.

Një vit larg zgjedhjeve vendore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kërkoi 61 bashkive që të përcaktojnë vendin e qendrave të votimit dhe të sigurojnë që ato të plotësojnë të gjitha kriteret ligjore.

“Sipas Kodit Zgjedhor, Qendrat e Votimit duhet të vendosen në ambiente publike, kryesisht shkolla, qendra komunitare ose institucione shtetërore. Ambienti duhet të jetë i aksesueshëm, të garantojë neutralitet politik, qetësi dhe siguri gjatë procesit të votimit”.

Në letrën e dërguar në adresë të bashkive, Komisioni Qedror i Zgjedhjeve kërkon që të gjitha ambientet e caktuara të jenë në zgjedhje funksionale, por edhe të jenë të gatshëm për ndërhyrje për të përmirësuar kushtet në to.

“Ambientet e Qendrave të votimit duhet të sigurojnë hapësirë të mjaftueshme për dhomat e fshehta, vendosjen e kutive, pajisjet teknologjike, mjedise të aksesueshme për persona me aftësi të kufizuara, ndriçim të përshtatshëm dhe kushte infrastrukturore që garantojnë siguri dhe fshehtësi të votës”.

61 krerët e bashkisë kanë kohë 10 ditë për të përpiluar listat me ambientet ku qytetarët do të votojnë vitin e ardhshëm për kryetarët e rinj të bashkive.

Lini një Përgjigje