Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është i lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.
Në vlerësimin e tij Kosova duhet t’i përmbush obligimet e saj të dala nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit, pasi në rast se një gjë e tillë nuk ndodh atëherë Prishtina “komplikon interesin e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian edhe të organizatave të tjera”.
“Marrëveshja e Brukselit/Ohrit vendos disa detyrime e kërkesa ndaj të dyja palëve, kështu që ne duhet të shohim se si do të shkojë, por sigurisht që ata duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, mendoj se kjo është e qartë për të gjithë ne, por ata duhet ta kalojnë të gjithë procesin”.
I pyetur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, diplomati amerikan beson se një mekanizëm i tillë do të formohet, pasi i njëjti është i nevojshëm për të ardhmen e Kosovës dhe të Serbisë.
“Asociacioni do të ndihmonte në tejkalimin e shumë problemeve dhe vështirësive aktuale që ka komuniteti serb në Kosovë.
Mendoj se Asociacioni është i nevojshëm për të ardhmen e Serbisë, dhe mendoj për të ardhmen e Kosovës, kështu që besoj se do të ndodhë”, është shprehur Hill në një intervistë për mediumin serb, Blic.
Lini një Përgjigje