Ambasadori gjerman: Absurde të rrezikohet përshkallëzimi për shkak të targave

22 Nëntor 2022, 13:04Rajoni TEMA

Ambasadori gjerman: Absurde të rrezikohet përshkallëzimi për

“E përsëris, është absurde që të rrezikohet përshkallëzimi i situatës për shkak të targave”, ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai shkroi në "Twitter" është mirë që përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka më shumë kohë që të punojë me palët për të gjetur një zgjidhje.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mesnate vendosi ta shtyjë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës.

Faza e dytë ka paraparë shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla.

Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës kishte planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit.

Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Më 21 nëntor, takimi në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, rezultoi pa marrëveshje.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL

1 Komente

  1. J
    Jimi

    Edhe une keshtu them! Eshte absurde qe per nje targe te destabilizohet situata ! E qe t'mos ndodhe kjo, europa duhet ta detyroje Serbin qe te pranoj realitetin, e te njohe Kosoven si shtet sovran dhe t'mos lejoje kerkend qe te hyje ne punet e brendeshme te saj. Eshte fare e thjeshte, por Europa si gjithmone, Serbine e ka konsideruar si kanakaren e saj edhe pse ajo eshte aleate e ngushte e Rusise !? Per cudi sot politika europiane Serbine po e trajton si viktime e "agresionit" te Kosoves !? Se cfare viktime eshte Serbia dhe cfare agresioni po ushtron Kosova ndaj saj, nje zot e merre veshe!!!!!!

    Lini një Përgjigje